zoom

Ekonomi

Miratohet marrëveshja. Kompanitë e fshehura në offshore marrin portin e Durrësit

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku njoftoi miratimin e marrëveshjes për ndërtimin e Portit të Durrësit.

Gjatë një deklarate për Media Balluku sqaroi se investimi do të jetë 2 miliardë euro dhe do ta çojë turizmin në Shqipëri në një nivel ndërkombëtar.

Sipas ministres kompanitë e përfshira në projekt janë Eagle Hills Real Estate Development, Albanian Seaports Development Company, sh.a. dhe Nshmi Development L.L.C,

“Dy miliardë euro investimi në portin e Durrësit nuk do të shkojë vetëm për Portin e Durrësit por që do ta çojë turizmin në Shqipëri në një nivel ndërkombëtar”, tha Balluku.

Pas portit qëndron Muhamed Alabbar, president i EMAAR Group, i cili vjen në Shqipëri me kompaninë offshore Eagle Hills Real Estate Development.

Kryeministri Rama e ka përmendur atë shpesh si përfaqësues i EMAAR, por kjo kompani gjigande nuk ka lidhje me projektin, sic e ka konfirmuar për Zoom.al edhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Mbi projektin janë hedhur dyshime të shumta në media, të cilat nuk kanë marrë përgjigje nga institucionet.

Dyshimet kanë të bëjnë me faktin se kompania nuk ka dhënë asnjë garanci se do ta ndërtojë Portin e Jahteve pasi të ndërtojë dhe shesë pallatet.

Po kështu, shqetësimet janë të mëdha, pasi Muhamet Alabbar ka lënë ende pa përfunduar projektin gjigant të Beogradit, “Belgrade Waterfront”, ndonëse kishte premtuar se ai do të ishte investimi më i madh në Ballkan, një projekt disa herë më ambicioz sesa porti i Durrësit.

Ka dyshime gjithashtu se toka shtetërore në Durrës i është falur kompanisë offshore në vend që t’i jepej me përqindje dhe shteti të fitonte më shumë.

Opozita e ka akuzuar kryeministrin Rama se fshihet vetë pas portit dhe se projekti do të shërbejë për pastrimin e parave. /Zoom.al