zoom

Politikë

Ministria e Drejtësisë kallëzon në SPAK gjyqtaren e shkarkuar nga vettingu: Vendim skandaloz

Ministria e Drejtësisë kallëzon në SPAK një gjyqtare të shkarkuar dy muaj më parë nga vettingu. Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja e cilësoi rast skandaloz, të turpshëm të abuzimit me detyrën e lartë të gjykatësit, çështjen e gjyqtares, e cila sipas tij ka bllokuar një investim madhor me vendimmarrjen e saj.

Bëhet fjalë për gjyqtaren Klorinda Çela, e cila u shkarkuar javën e fundit të tetorit nga KPK.

“Jam sot këtu për të bërë publik një kallëzim që sot do ta depozitojmë në SPAK për një vendimmarrje të një gjykatëseje të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke penguar një investim madhor.

Rast skandaloz, i turpshëm i abuzimit me detyrën e lartë. Gjykatësja K.Ç. gjykatëse e gjykatës civile, ka lënë peng fëmijët duke bllokuar punën për Qendrën Kombëtare të Fëmijëve. Kur sapo ministria bëhet gati të nisë punën, prona e shtetit na del me barrë”, tha Manja.

Njësia Antikorrupsion e Ministrit të Drejtësisë dhe Avokatura e Shtetit, i kërkojnë SPAK-ut marrjen si të pandehur të gjykatëses Klorinda Çela, e cila sipas tyre ka dhënë një nga vendimet më flagrante haptazi të paligjshme në kundërshtim skandaloz me interesin publik, pak ditë përpara se sa Vetingu ta largonte nga sistemi i drejtësisë.

Klorinda Çela u përball me Vetingun për tre kriteret e vlerësimi, atë të ligjshmërisë së pasurisë, kriterin etik dhe atë profesional më 25 tetor 2021, teksa vendimi u dha më 28 tetor.

Trupa Gjykuese e përbërë nga Lulzim Hamitaj, Genta Tafa (Bungo), Etleda Çiftja pasi analizoi provat dhe faktet, vendosi shkarkimin nga detyra të Klorinda Çelës, gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Klorinda Çela përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2005 dhe u emërua gjyqtare në Gjykatën e Elbasanit. Prej vitit 2013, ajo e ushtron funksionin në Gjykatën e Tiranës. Në vitin 2014, ministri i Drejtësisë së kohës kërkoi shkarkimin nga detyra të gjyqtares Klorinda Çela dhe bashkëshortit të saj Ken Dhima, për shkak të problemeve me pasurinë.