zoom

Politikë

Meta: Taksa dhe rritje çmimesh, do paguhen dhe 136 mln euro për PPP-të nën hetim!

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka shprehur rezerva në lidhje me buxhetin e vitit 2024. Në një konferencë për mediat Meta theksoi se ky buxhet do t’i japë goditje profesioneve të lira me rritjen e Tatimit mbi të Ardhurat. Po ashtu ai theksoi se alarmante është rritja e çmimeve.

“Paketa e re fiskale do të ketë efekte negative, dhe tatim të të ardhurave deri ne 23 përqind për profesionet e lira. Ky buxhet ul shpenzimet sociale dhe nuk ka rritje për pagesat e papunësisë apo të pensioneve. Shpenzimet për financimin e PPP-ve do të rriten me 136 mln euro, ndërkohë që shumica e tyre janë në hetim. Dua të nënvizojë rrezikun e rritjes së çmimeve të ushqimeve. Rritja dyshifrorë e frutave dhe perimeve, janë pjesë e shqetësimeve të konsumatorëve”, tha Meta.

Rrezik sipas Metës është dhe zhvleftësimi i monedhës europiane, ndërsa shtoi se shqiptarët paguajnë karburantin më të shtrenjtë në rajon. “I gjithë buxheti nga fillimi deri në fund, është një buxhet klientelist, që ka si interes kryesor korrupsionin qeveritar. Pasi sikurse e përmendëm, treguesi më pozitiv i buxhetit, është rritja e angazhimit sa i takon koncesioneve apo PPP-ve. Korrupsioni është problematike. Degjenerimi i administratës është një problematikë tjetër”, tha Meta.