zoom

Aktualitet

Meta: Kriza në arsim është një “dramë kombëtare”, i bëj thirrje qeverisë të marrë masa

Në një konferencë për mediat, presidenti Ilir Meta u shpreh se arsimi është një shqetësim shumë i madh në Shqipëri.

Ai tha se Shqipëria renditet e fundit në rajon dhe Evropë për cilësinë e arsimit.

Meta ka ngritur shqetësimin për largimin e të rinjve nga Shqipëria, për shkak të asaj që ai e quajti “krizë në arsim” si “një dramë kombëtare”.

Gjatë fjalës së tij, ai i bëri thirrje parlamentit dhe qeverisë për ndërmarrjen e reformave për ta shëndetësuar nga fiktiviteti e militantizmi partiak.

“Premisa nxitëse të braktisjes masive të vendit nga rinia e shpopullimi.

Do e cilësoja krizën në arsim si krizën më të rëndë ekzistenciale për sot e për nesër, dramë kombëtare se i heq Shqipërisë pasurinë më të çmuar e burimet njerëzore si promotorë.

I bëj thirrje parlament e qeverisë për ndërmarrjen e reformave për ta shëndetësuar nga fiktiviteti e militantizmi partiak. Hapjen e sistemit e freskimin e tij me prurje cilësore akademike, që do jenë hartuesit e reformave të vërteta e te besueshme për ta nxjerrë nga koma e për ta futur në binarët konkurrues të tregut.

Me një arsim konkurrues do u japim të rinjve tanë shpresë”, tha Meta.