zoom

Politikë

Meta dekoron Dritëro Agollin pas vdekjes, ja socialistët që morën pjesë në ceremoni

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerëson me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, më të lartën e shtetit shqiptar, poetin e tokës, atdheut dhe dashurisë, Dritëro Agolli.

“I lumtur të vlerësoja sot me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, poetin e përjetshëm të tokës, atdheut dhe dashurisë, Dritëro Agolli. Me mirënjohje për personalitetin e shquar të letërsisë, kulturës dhe trashëgimisë tonë kombëtare, i cili me veprën e tij të pashembullt poliedrike e shumëdimensionale: letrare, artistike, estetike, filozofike, enciklopedike, akademike, politike dhe shoqërore, mishëroi virtytet më të vyera të shqiptarizmës dhe ngjizi në shpirtin e kombit shqiptar atdhedashurinë dhe patriotizmin, dashurinë për tokën, njeriun dhe gjuhën e bukur shqipe, duke u kthyer në një shërbestar humanist dhe apostull besnik i ëndrrës shekullore të rilindasve tanë. Dritëroi ynë i madh dhe i paharruar dritëron përjetë në çdo varg, libër, mesazh e këshillë të mençur, që na la trashëgim të gjithëve!”, është shprehur Meta.

Dekorimi i tij është bërë me motivacionin:“Me vlerësimin më të lartë për personalitetin e shquar të letërsisë, kulturës dhe trashëgimisë sonë kombëtare, i cili me veprën e tij të pashembullt poliedrike e shumëdimensionale: letrare, artistike, estetike, filozofike, enciklopedike, akademike, politike dhe shoqërore, mishëroi virtytet më të vyera të shqiptarizmës si dhe ngjizi në shpirtin e kombit shqiptar atdhedashurinë dhe patriotizmin, dashurinë për tokën, njeriun dhe gjuhën e bukur shqipe, duke u kthyer në një shërbestar humanist dhe apostull besnik i ëndrrës shekullore të rilindasve tanë.”

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, përveç familjarëve të Dritëro Agollit merrnin pjesë edhe shkrimtarë e miq të ish-deputetit socialistë.

Gjithashtu nuk munguan edhe disa figura të njohura të socialistëve, siç është Namik Dokle, Arta Dade apo edhe Petro Koçi.

Ky është edhe aktiviteti i fundit zyrtar i Presidentit të Republikës, Ilir Meta.