Aplikacion
Ndonëse qeveria nuk shpalli njoftim publik për garën e zhvilluar të premten dhe kompanitë që morën pjesë nc të, janë mësuar emrat e vetëm njërit prej tyre. Bëhet fjalë për një ofertë të paraqitur nga bashkimi i operatorëve Salillari dhe belgia Jan De Nul.
Kjo është faza e parë e tenderit për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano, e cila nuk ka ofertë financiare por vetëm vlerësim teknik për përmbushjen e kritereve teknike të kërkuara. Kompanitë të cilat do të kualifikohen në këtë fazë, më pas do të garojnë në fazën e dytë me ofertat respektive financiare.
Fondi limit për ndërtimin e fazës së parë të portit të ri tregtar në Porto Romano është paracaktuar 39.3 miliardë lekë ose 393 milionë euro. Qeveria ka parashikuar, që pas përfundimit të saj të tenderojë edhe fazën e dytë, e cila është parashikuar me një kosto prej 266 milionë euro. Përtej dy fazave për kompletimin e portit të ri tregtar, qeveria do të ndërtojë edhe bazën detare si pjesë e këtij projekti.
I klasifikuar si projekt me nivel prioriteti A, baza detare planifikohet të kushtojë 366 milionë euro të tjera. Kjo e çon koston totale të kompleksit portual në Porto Romano në 1 miliardë e 20 milionë euro, që përfshin dy fazat e ndërtimit dhe Portit dhe ndërtimin e bazës detare.
Ai i ndërtimit të portit të ri në Porto Romano është tenderi më i madh i zhvilluar ndonjë herë në historinë e shtetit shqiptar. Ky tender hapet fiks dy muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 11 majit. Opozita e ka cilësuar portin si aferën më të madhe korruptive të të gjitha kohërave duke kërcënuar madje se në rast se fiton zgjedhjet nuk do ta njohë tenderin dhe do ta anullojë atë.
Kostot e Portit nuk ndalen
Kur prezantoi projektin për të çmontuar portin e ekzistuesit të Durrësit dhe për të ndërtuar një port të ri në Porto Romano, qeveria u tregua e kujdeshme të zbuste kostot e projektit. Fillimisht ajo deklaroi vetëm koston e ndërtimit të fazës së parë në Porto Romano prej 393 milionë eurosh.
Por tani po zbulohen gradualisht kostot e plota të kësaj vepre. Në total bëhet fjalë për një faturë, e cila deri më tani ka arritur në 1 miliardë e 20 milionë euro.
Kjo është shuma që do të paguajnë qytetarët shqiptarë nga taksat e tyre për zhvendosjen e portit tregtar nga Durrësi në Porto Romano me qëllim që në territorin e portit ekzistues të Durrësit të ndërtohet porti turistik i kompanisë arabe Eagle Hills.
Por teksa qeveria ngarkon fatura miliardere mbi kurrizin e qytetarëve, Alabbar merr tokën e falur dhe fitimet nga shitja e vilave dhe kullave në Durrës./Kapital.al