Aplikacion
Mësohet se vetëm gjatë 48 orëve të fundit janë arrestuar në flagrance 15 drejtues mjetesh dhe motomjetesh, nga të cilët 9 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 6 për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Si rezultat i kontrolleve janë konstatuar përsëri shumë drejtues mjetesh që kanë tejkaluar shpejtësinë më shumë se limiti i lejuar dhe drejtues mjetesh që kanë drejtuar mjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Gjithashtu policia njofton se:
-Janë pezulluar 132 leje drejtimi, nga të cilat 69 për shpejtësi mbi normat e lejuara, 41 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 22 për qarkullim në sens të kundërt.
-Janë ndëshkuar me masë administrative, në të gjithë vendin, 2531 drejtues mjetesh, për shkelje që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.
Efektivët e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, gjatë kontrolleve parandaluese, në rrugën “Isuf Elezi”, kanë goditur një rast të mitëdhënies. Drejtuesi i mjetit, shtetasi F. K., pasi është konstatuar duke drejtuar mjetin pa vendosur rripin e sigurisë, pa kryer kontrollin teknik dhe pa siguracion, u ka ofruar punonjësve të Policisë, një kartëmonedhë të prerjes 2000 lekë, me qëllim shmangien e ndëshkimit për shkeljet e kryera.
Gjithashtu, po nga shërbimet e Policisë Rrugore të Tiranës është konstatuar në rrugën “Kastriotët”, një drejtues mjeti që qarkullonte pa vendosur rripin e sigurimit. Pas ndalimit, drejtuesi i mjetit i ka paraqitur punonjësve të Policisë, një leje drejtimi që i përkiste një shtetasi tjetër. Pas shoqërimit në ambientet e Policisë dhe verifikimit të të dhënave rezultoi se drejtuesi i mjetit, shtetasi G. M. ishte person i shpallur në kërkim për llogari të DVP Kukës, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë”, “Goditje për shkak të detyrës”, Plagosja e lehtë me dashje”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë”, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.
Ndërkohë, shërbimet e Njësisë Operacionale për sigurinë e autostradës Milot-Morinë, kanë kapur në Skuraj, Kurbin, shtetasin I. N., duke transportuar me një automjet furgon, disa emigrantë të paligjshëm, kundrejt pagesës.
Apeli
Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të mos nxitojnë për të arritur në destinacion duke kryer parakalime të gabuara e manovra të rrezikshme në rrugë, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të vendosin rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse pasi në të gjitha rrugët e vendit ka radarë dhe prezencë të Policisë Rrugore, të pajisur edhe me dronë, dragera, kamera e aparate fotografike.
Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo shkelje të Kodit Rrugor, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të shpejtë e profesional.