zoom

Stil

Marina Vjollca dhe Getoar Selimi hapin rrjet biznesesh, si i ka ndarë çifti aksionet

Çifti i bashkëshortëve Marina Vjollca dhe Getoar Selimi kanë hapur biznesin e tyre, që nis me një dyqan veshjesh markë dhe do të zgjerohet me rrjet restorantesh.

Biznesin e kanë emërtuar “Marget”, një bashkim i germave të para të emrave të tyre dhe ata janë deklaruar aksionerë 50 me 50 përqind.

“Prive” ka publikuar dokumentin e biznesit të firmosur nga të dyja palët, ku bie në sy fakti që Marina në dokumente zyrtare mban mbiemrin e bashkëshortit, Selimi. Duket se pas problemeve me ortakët e tij si CEO i “Babastars”, Getoari ka vendosur t’i besojë bashkëshortes, duke zgjedhur atë si partnere.

Marina Vjollca dhe Getoar Selimi janë një nga çiftet më të pëlqyera të showbizz-it. Ata kanë qenë shpesh në qendër të vëmendjes së mediave, edhe pse gjithmonë janë treguar tepër të rezervuar. Megjithatë, në një intervistë për “Living”, reperi pak kohë më parë foli mbi marrëdhënien me gruan e tij, Marinën, dhe thashethemet se xhelozia e tij është bërë shkak që ajo të mos punonte për një kohë të gjatë para se të fillonte punë si moderatore e spektaklit të humorit “Klanifornia”.

“Gjithë jetën më ka shoqëruar problemi i pamjes sime të jashtme, njerëzit më paragjykojnë sepse u dukem shumë i ashpër, xheloz, agresiv. Në fakt, kur i lexonim ato, unë dhe Marina kemi qeshur, sepse e dimë se sa e kam përkrahur unë atë në punë dhe jo vetëm, por në çdo gjë, sikurse bën dhe ajo me mua. Pastaj, kur e njoha, Marina ishte figurë televizive dhe ato fjalë kanë qenë të tepruara. Unë jam tip që jo për këtë, por dhe për lajme të tjera nuk kam dalë ndonjëherë të flas. Jam indiferent. Nuk flas as mirë e as keq dhe mendoj se kjo është arma më e fortë. Po u mora me një, duhet të merrem me të gjithë. Nëse diçka e kalon kufirin, e injoroj plotësisht; këtë gjë u them edhe administratorëve të faqeve të mia”, u shpreh Geti.

Kujtojmë se pas martesës, Marina qëndroi jashtë televizionit duke pritur projektin më të mirë. Vetëm në prill të 2019-ës, mediat shkruanin se Marina Vjollca shpalli pavarësinë nga Getoar Selimi me poza seksi, direkt pas projektit që e riktheu në televizion.

Marina publikoi disa fotografi të reja mjaft provokuese dhe hot, ku sipas ndjekësve, me këto poza provokuese ajo shpalli më në fund pavarësinë nga Getoar Selimi. Kujtojmë që pasi u bë gruaja e tij, u fol se Getoari tregohej fanatik, duke i kontrolluar madje dhe veshjet, që të mos ishin shumë provokuese në spektaklin që ajo moderoi në “Tv Klan”, “C’est la vie”.

Ky set natyrisht që nuk ishte bërë pa qëllim nga Marina, e cila theu më në fund heshtjen për rikthimin në ekran. Lajmin e bukur e dha vetë disa kohë më parë me anë të një postimi në “Instagram”. Pak kohë më parë u fol se emisioni i saj i ri do të kishte për protagonistë edhe bashkëshortin Getoar Selimi dhe Flori Mumajesin, një format për “Klan Kosova”.

Por më pas ishte moderatori Alaudin Hamiti që mori përsipër autorësinë e programit me titull “E ke yllin”. Shumë kolegë të saj e konsideruan një lëvizje të gabuar largimin e saj nga “Top Channel”, duke qenë se la punën si bashkëdrejtuese prej 10 vitesh e “Procesit Sportiv” me Edi Manushin dhe humbi stabilitetin në punë.

Për këtë arsye, Marina që pas mbylljes së spektaklit “C’est la vie” iu dedikua një jete të qetë, larg angazhimeve dhe lodhjes. Në postimet e saj, ajo bënte autoironi, duke e konsideruar veten “shtëpiake e dëshpëruar”, por kjo shkëputje nuk zgjati shumë pasi ajo tashmë është çdo javë në ekran.

Pas martesës me reperin e njohur Getoar Selimi, të gjithë presin një fëmijë nga çifti i njohur i showbizzit, duke qenë se hapat që ata hodhën në marrëdhënien e tyre ishin të një çifti tradicional, me fejesë e më pas martesë. Marina, edhe pse një personazh publik dhe e identifikuar në karrierën e saj me mbiemrin Vjollca, vendosi të merrte mbiemrin e burrit (Selimi) gjatë ngjitjes në altar.

Ndërsa Getoari, për t’iu përshtatur karrierës së saj në Shqipëri, vendosi të blinte apartament në Tiranë, ku tani bashkëjetojnë si burrë e grua. Nga ana tjetër, martesa duket se i largoi fillimisht nga karriera, një shkëputje momentale, pasi tashmë të dy po punojnë paralelisht për projektet e tyre, duke shijuar edhe udhëtimet luksoze.

Tashmë në këtë periudhë pandemie ata kanë vendosur të hapin biznesin e tyre ku shihet të kenë investuar të dy 50 me 50, që do të thotë se dhe fitimet do i ndajnë përgjysmë. Lind pyetja, a mos ndoshta Getoari dhe Marina janë çifti që i mbajnë llogaritë bankare të ndara në shtëpi? Këtë kuriozitet dhe të tjera nga martesa e tyre presim të na i rrëfejë vetë çifti i njohur.