zoom

In Zoom

Makinacionet për të larguar Tom Doshin nga parlamenti

Tom Doshi, me shumë gjasë do të jetë sërish në parlament, nëse ai nuk do të ndalohet për të kandiduar. Të gjitha sondazhet e nxjerrin atë me një mandat në zonën e Shkodrës, me një mbështetje të madhe në Dukagjin.

Ambasada amerikane në Tiranë nuk e do në parlament. Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës ai është një person i përfshirë në afera të mëdha korruptive. Për këtë arsye Departamenti i Shtetit e ka futur në listën e zezë.

Yuri Kim e bëri publik qëndrimin e amerikanëve, se ata nuk e donin Tom Doshin sërish në parlament.

Ambasadorja i kërkoi Partisë Socialiste të distancohej nga Doshi dhe të shprehej publikisht se nuk e donte Doshin në kuvend, njësoj sic ishin shprehur PD e LSI.

Kur kjo iu kërkua Edi Ramës, ai refuzoi. Madje, si për të zhvlerësuar ambasadoren, tha se ai ishte “engjëll” në krahasim me Sali Berishën e Ilir Metën.

Edi Rama la të kuptohet, pa ekuivok, se Tom Doshi i duhet si votë për ta përdorur kundër Metës e Berishës.

Ambasada amerikane e përjashton këtë si variant. Ajo nuk mund të pajtohet me “ofertën” e Edi Ramës.

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, pas presionit të amerikanëve, tha se ligji nuk e ndalonte Doshin të kandidonte, por paralelisht i kërkoi prokurorisë të hetonte mbi figurën e tij.

Ky ishte hapi i parë i një makinacioni për ta nxjerrë Tom Doshin nga lista si kandidat i Partisë Socialdemokrate.

Pas kërkesës së marrë nga KQZ, prokuroria trokiti pa vonesë në dyert e amerikanëve. Prokuroria e Përgjithshme i kërkoi zyrtarisht ambasadës amerikane informacionet që ajo disponon mbi përfshirjen e Doshit në afera korruptive.

Informacione të këtij lloji janë sensitive. Me gjasë ato nuk do ta shohin së afërmi dritën e publikimit.

Por nëse do t’i vihen në dispozicion prokurorisë, Tom Doshi nuk do të kandidojë dot në këto zgjedhje. Në këtë mënyrë, amerikanët e kanë vetë në dorë që ta largojnë atë nga parlamenti.

Por me vënien në dispozicion të prokurorisë të këtyre informacioneve, mbi bazën e të cilit SHBA e shpalli Doshin “non grata”, organi i akuzës do të duhet të nisë edhe një hetim mbi aferat e “engjëllit” të Edi Ramës.

Ambasada amerikane ka kërkuar vazhdimisht që të hetohen pasuritë e zyrtarëve apo deputetëve të korruptuar.

Raporti i publikuar një ditë më parë i Departamentit Amerikan të Shtetit e nënvizonte këtë fakt. “Korrupsioni është në cdo degë të qeverisë dhe pandëshkueshmëria është problem”, theksohej dukshëm në Raportin për të Drejtat e Njeriut.

Përballë hezitimit së Edi Ramës, amerikanët duket se këtë herë po tregojnë fuqinë e tyre për të ndaluar një person që ata e konsiderojnë të korruptuar, që të bëhet sërish deputet.

Qëndrimi i Ramës, në mbrojtje të Doshit, duket se ka cuar edhe në përplasjen e tij me ambasadoren Kim.

Publikisht ambasadorja Kim nuk ka mundur të replikojë me Ramën ashtu sic bënte me “mikun e saj Luli Bashën”, kur i kërkonte të tërhiqej nga qëndrimet që i konsideronte ekstreme.

Por nga ana tjetër, ambasada amerikane e ka vënë në punë mekanizmin e saj për t’ia prerë krahët “engjëllit” të Ramës, kësaj here me kosto edhe më të madhe për të dhe për mbrojtësin e tij. ©Zoom.al