Aplikacion
Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi të enjten se Franca do ta njohë Palestinën si shtet.
Vendimi vjen në një kohë kur zemërimi global po rritet për shkak të urisë masive në Gaza.
Macron tha në një postim në rrjetin “X” se do ta formalizojë këtë vendim në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator.
“Urgjenca sot është që lufta në Gaza të ndalet dhe popullsia civile të shpëtohet”, u shpreh ai.
Presidenti francez kishte ofruar mbështetje për Izraelin pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor 2023 dhe ka folur shpesh kundër antisemitizmit, por është shprehur gjithnjë e më i zhgënjyer nga lufta e Izraelit në Gaza, veçanërisht muajt e fundit.
“Duhet menjëherë një armëpushim, lirimi i të gjithë pengjeve dhe një ndihmë humanitare masive për popullsinë e Gazës. Po ashtu, është e nevojshme të çmilitarizohet Hamasi, të sigurohet dhe rindërtohet Gaza. Së fundi, duhet të ndërtohet Shteti i Palestinës, të garantohet qëndrueshmëria e tij dhe, nëpërmjet pranimit të çmilitarizimit dhe njohjes së plotë të Izraelit, ai të kontribuojë në sigurinë e të gjithëve në Lindjen e Mesme. Nuk ka alternativë tjetër”,shkroi ai në “X”.
Me këtë vendim, Franca bëhet shteti më i madh dhe më me ndikim në Evropë që njeh Palestinën, duke iu bashkuar mbi 140 vendeve të tjera që tashmë e kanë ndërmarrë këtë hap.
Lajmi vjen në një moment kur rritet zemërimi global ndaj situatës humanitare në Gaza dhe pas ndërprerjes së bisedimeve për armëpushim nga SHBA-të, të cilat akuzuan Hamasin për mungesë vullneti të mirë.