zoom

Politikë

Luçiano Boçi nxit protestuesit: T’i shembim portat e Kryeministrisë

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi nxiti protestuesit të futen brenda në Kryeministri.

Nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Boçi deklaroi se u takon protestuesve të hapin portat e blinduara të Kryeministrisë, që të dërgojnë kryeministrin Edi Rama para drejtësisë.

Historia e 20 shkurtit sipas tij duhet të përsëritet, këtë herë duke rrëzuar regjimin e Edi Ramës.

“Ajo që na ka sjellë këtu nuk është vetëm historia dhe lavdia e rrëzimit të diktaturës së Enver Hoxhës, por është e sotmja, është dëshira e qytetarit për të rrëzuar regjimin e Edi Ramës.

Ai që na ka thirrur në këtë protestë është ai grushti i mbledhur i intelektualit që kamxhikohet nga regjimi, është zemërimi i biznesit të madh dhe të vogël që i ngushtohet laku në fyt nga taksat.

Është revolta e të rinjve, është ai fermeri që vajton produktin e vet, është ofshama e atij pensionistit që pret lëmoshën e tij, është ajo drama e qytetarit shqiptar jeta e të cilit është një udhëtim dantesk drejt ferrit. Sot ne vijmë të bashkuar si një zë i vetëm kundër pushtetit të korruptuar të Edi Ramës. Jemi të bashkuar në një qëndresë, duhet të vazhdojmë, të mos gjunjëzohemi dhe të mos dorëzohemi. Pushteti i korruptuar i Ramës mbështetet mbi frikën dhe apatinë.

Ato mposhten me guximin dhe vendosmërinë tonë. Ai që është larguar këto godina i blindon dhe i mbyll, na takon ne t’i shembim ato porta, t’i hapim ato porta, sepse duke hapur ato porta i korruptuar kryeministër do gjendet pas hekurave. Vetëm kështu do bëjmë drejtësi”, tha Luçiano Boçi.