zoom

Aktualitet

Lobimi dhe pasuria, Kryemadhi del pas 5 orësh nga SPAK: Botox si të gjithë, me Metën ndahem për…

Monika Kryemadhi, deputete dhe ish-kryetare e LSI, sot PL, u thirr sot në SPAK ku për më shumë se 5 orë u mor në pyetje nga prokurorët në lidhje me disa çështje që janë nën hetim, përfshi edhe pasurinë.

Prej ores 10:00 ajo ka qenë brenda godinës dhe pasi doli dha një deklaratë të shkurtër për mediat. Ajo tha se ishte thirrur në cilësinë e personit që ka dijeni për disa çështje.

Kryemadhi tha se fëmijët e saj nuk ishin pyetur dhe se në celularin e sekuestruar nga SPAK nuk ka përmbajtje sensitive apo problematike. Ajo mohoi implikimin në ndonjë aferë apo çështje pasurie.

“U dhashë përgjigje të gjitha pyetjeve. Ballafaquam gjërat që kanë të bëjnë me akuzat që kanë ngritur. Besoj se e ezauruam aspektin e pyetjeve dhe përgjigjeve. E lexova me vëmendje dhe e firmosa me vetëdije të plotë, duke marrë të gjitha përgjegjësitë”, tha Kryemadhi.

Gjithashtu u përgjigj për shpenzimet apo operacionet plastike të përfolura.

“Botox? Lobimi, hetimi pasuror dhe operacionet plastike janë në një çështje. Dua të them që nuk kam bërë ndërhyrje estetike. Çdo gruan që mirëmbahet dhe që kërkon korrekte me imazhin e saj, nuk është ndërhyrje estetike. Ndërhyrje estetike do të thotë të ndryshosh shumë gjëra. Botox kam bërë si të gjitha gratë”, u shpreh deputetja.

Pyetjes se në çfarë cilësie u pyet, ajo iu përgjigj: “Isha në cilësinë e personit në dijeni. Padia që është dorëzuar në SPAK nga dy ushtarët e bindur të Veliajt, është paditur nëna ime, vëllai dhe fëmijët e mi. Isha për tu përgjigjur rreth padisë së rremë që ka bërë Veliaj me suflerët, shërbëtorët e tij. Në celular nuk ka asgjë, la ta mbajnë”.

Gjithashtu reagoi edhe për përplasjet me bashkëshortin Ilir Meta dhe akuzat e tij ndaj SPAK-ut, duke thënë se në këtë pikë ndahej nga ai, pasi nuk është për sulmin ndaj drejtësisë.

“Vazhdoj t’i qëndroj cdo deklarate time, lidhur me reformën dhe sistemin në drejtësi. Vazhdoj t’i qëndroj dhe nuk e sfidoj as sistemin e drejtësisë as sistemin ku jetojmë dhe punojmë. Nëse do të sfidoja, nuk do të isha në deputetet e pakta që ka dorëzuar 6 padi për inceneratorët. Sigurisht që të gjithë kemi ndasitë dhe qëndrimet tona. Vazhdoj të qëndroj që lufta ime është betejë politike. Prokurorët do të bëjnë punën e tyre. Ndahem me Ilir Metën për sulmet ndaj SPAK”, tha Kryemadhi. /ZOOM.AL/