zoom

Aktualitet

LISTA/ Makina luksoze, apartamente e garzhe, SPAK kërkon konfiskimin e pasurive të Redjan Rrajës

SPAK ka kërkuar konfiskim të pasurive të Redjan Rrajës. Nëse GJKKO pranon këtë kërkesë, pasuritë e Redjan Rrajës do t’i kalojnë shtetit. Kujtojmë se përmes një vendimi të marrë më datë 23 tetor të 2021, GJKKO vendosi të sekuestrojë një apartament në Tiranë; tre dyqane; dy garazhe; dy makina tip “Audi A8”; një makinë tip “Bentley”; një orë Rolex dhe 2 750 euro.

Redjan Rraja u arrestua në vitin 2019 pas një atentati ndaj makinës ku udhëtonte prokurori Arjan Ndoja; Aleksandër Laho si edhe Andi Maloku. Ky i fundit mbeti i vdekur në atentat, kurse prokurori Ndoja dhe Laho mbetën të plagosur.

Njoftimi:

Bazuar në parashikimet e Ligji nr. 10192 datë 03.12.2009 “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar dhe Trafikimit Nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar në datën 22.01.2021 procedimin pasuror nr.2, në ngarkim të shtetasve Redjan Rraja etj.

Në funksion të hetimeve të këtij procedimi pasuror janë kryer shumë veprime hetimore dhe në përfundim të tyre sot në datën 13.10.2022 Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ju drejtua Gjykatës me kërkesën për konfiskim të pasurive si më poshtë:

 Pasuria apartament, me sip 76 m2 (Tiranë), regjistruar në emër të shtetasit R. Rraja.
 Pasuria, me sip 30 m2, njësi (Tiranë), regjistruar në emër të shtetasit R. Rraja.
 Pasuria njësi me sip 127.5 m2 (Tiranë), e regjistruar në emër të shtetases M. Ç. por që është në zotërim të tërthortë nga shtetasi R. Rraja.
 Pasuria garazh me sip totale 18.09 m2 (Tiranë), regjistruar në emër të shtetases M. Ç. por që është në zotërim të tërthortë nga shtetasi R. Rraja.
 Pasuria garazh me sip totale 18.09 m2 (Tiranë), regjistruar në emër të shtetases M. Ç. por që gjendet në zotërim të tërthortë të shtetasit R. Rraja.
 Automjeti me ngjyrë gri të tipit Audi, A8, sekuestruar shtetases K. K. por që është në zotërim të tërthortë të shtetasit R. Rraja.
 Automjeti me targë Audi A8, regjistruar në emër të R. Rraja.
 Një orë dore Roleks.
 Shuma prej 2750 Euro.

Këto pasuri janë sekuestruar me vendimin nr.22 datë 23.10.2021 të Gjykatës së Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.