zoom

Aktualitet

Lidhjet e Agron Çelës me biznesmenin Ismailaj dhe akuzat e Priftit për ryshfetin 1,5 mln euro

Deputeti i Partisë Socialiste, biznesmeni i njohur shkodran Agron Çela, ka shkuar sot në SPAK, i thirrur nga institucioni i posaçëm i investigimit për çështje që ende nuk është publikuar zyrtarisht. Dikur deputet dhe aktivist drejtues i strukturave të LSI, ligjvënësi kaloi para zgjedhjeve të vitit 2021 në radhët e mazhorancës dhe krijoi krisje të thella me partinë e tij, sot Partia e Lirisë. Kjo bëri që të kishte edhe akuza publike.

Por biznesmeni nuk është hera e parë që vihet në qendër të lajmeve dhe kronikave, sepse edhe më parë është lakuar nga ish-deputeti i ndjerë i të njëjtës parti, Dritan Prifti, si i implikuar në aferën CEZ-DIA me biznesmenin Kastriot Ismailaj. Kjo dosje e rihapur prej vitit 2019 nga SPAK, pritet të jetë edhe qëllimi i thirrjes sot në SPAK, pasi javën e kaluar u pyet ish-presidenti Ilir Meta, i cili mohoi çdo implikim në çështje. Ky i fundit e ka akuzuar Çelën dy vite më parë si të implikuar. Por më poshtë janë të detajuara se çfarë ka ndodhur në dy episodet ku përmendet deputeti socialist Çela dhe një shifër në formë ryshfeti prej 1,5 mln euro.

Akuzat e Dritan Priftit më 2015 dhe reagimi publik i Çelës

Ish-deputeti dhe ministri i Ndjerë do e implikonte biznesmenin në aferën CEZ-DIA, që në periudhën 2013-2016 ishte një dosje e bujshme aktive dhe që u mbyll me arrestimin dhe dënimin e biznesmenit Kastriot Ismailaj, i vetmi i dënuar për çështjen që sipas Prokurorisë, ka të paktën 5 mln euro dëme ekonomike ndaj shtetit.

Deputetit Agron Çela reagoi dhe tha në atë kohë se e ka paditur për shpifje Dritan Priftin. Ai ka sqaruar se nuk ekziston asnjë transferë parash nga DIA në kompaninë e drejtuar prej tij. “Jam sot para jush për të denoncuar dhe refuzuar me neveri shpifjet e djeshme ndaj meje nga ordineri Dritan Prifti, si përfitues i transfertave të parave nga DIA në kompanitë që unë drejtoja në 2011.

Përsa shpif Dritan Prifti sqaroj se nuk ekziston asnjë transfertë parash nga DIA në kompaninë që unë kam drejtuar në vitin 2011. Gjatë vitit 2011 unë kam qenë një qytetar i pa angazhuar në asnjë forcë politike dhe tek LSI u bashkova në vitin 2013 në prag të zgjedhjeve të vitit 2013. Për këto shpifje do të ballafaqohem dhe do të ndjek çdo hap dhe çdo rrugë ligjore në gjykatë dhe në prokurori.

Mbështes dhe do të votoj për një hetim të gjithë anshëm ndërkombëtar për çështjen CEZ”, tha deputeti, duke shtuar se i ndjeri kishte lidhje miqësie dhe shoqërie me Ismailajn dhe se punonin bashkë.

Krisja me Metën dhe ikja nga LSI, që riktheu “plagën” CEZ-DIA

Pas largimit nga ish-LSI, biznesmeni Agron Çela iu bashkua PS-së dhe u rizgjodh deputet i Shkodrës. Kjo solli krisje të mëdha me ish-presidentin Ilir Meta në atë kohë, sot kryetar i Partisë së Lirisë. Çela ishte prej më shumë se një dekade ligjvënës i LSI-së dhe drejtues i saj i lartë. Kjo krisje risolli në skenë edhe një herë CEZ-DIA, pasi u rikthye dyshimi mbi lidhjet e Çelës në aferë dhe atë që kishte deklaruar i ndjeri Prifti.

Më 2019 dosja u rihap pas kallëzimit të ish-juristit të OSHEE, Romeo Kara, por më 2021 mediat lakuan se Meta kishte përmendur gjatë hetimeve edhe emrin e Agron Çelës, por që nuk u konfirmua publikisht. Bëhet fjalë për një kontratë që dyshohet se një kompani e Agron Çelës ka pasur me Kastriot Ismailajn. Bëhet fjalë për një shumë 1.5 milionë euro që dyshohet se Ismailaj i ka transferuar Agron Çelës.

Tashmë si pjesë e dosjes në fjalë dhe përmendjes së emrit, SPAK i ka dërguar fletë-thirrje edhe deputetit socialist. Por a ka provë kontratën apo faturën e pretenduar organi i akuzës, për ta vënë Çelën para përgjegjësisë penale? Përflitet për një prej udhëtimeve ku Agron Çela bashkë me bashkëshorten e tij dhe Kastriot Ismailaj, kanë udhëtuar drejt Muriqanit në datë 05.06.2011 me mjetin me targë TR 7733 K.

Mediat raportuan se kjo provë është administruar dhe vërtetuar nëpërmjet sistemit TIMS nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Në vitin 2015, ishte i ndjeri Dritan Prifti që akuzoi Agron Çelën se ka marrë para nga Ismailaj. “Nga llogaria e DIA-s kanë shkuar para drejtpërdrejt për persona që sot janë deputetë të LSI-së. Një prej tyre është deputeti i Shkodrës Agron Çela.

Nga DIA kanë shkuar para për kompaninë e Agron Çelës që sot është deputet i LSI-së, për arsye se do të bliheshin ca makina, ca motorë që nuk u blenë kurrë, por para që kuptohet janë përdorur pastaj për fushatën zgjedhore të vitit 2011-të”, shprehej Prifti. Më pas nuk u mor vesh asgjë se çfarë ndodhi, por sinjalet janë se SPAK me rihapjen e kësaj dosje, do zbërthejë të gjitha aferat e tjera që kanë ndodhur. /ZOOM.AL/