zoom

Aktualitet

Polici i Operacionales, trafikant droge. Pjesë e grupit të… Sulejmanit (Emri)

Një oficer policie rezulton se është i implikuar në grupin e trafikut të kokainës, që u përplas në operacion me blutë pak ditë më parë dhe ku mbeti i plagosur një prej të dyshuarve, njëkohësisht kryetar i Transportit Ndërqytetës.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në kryeqytet njoftoi sot se ka ndaluar punonjësin e policisë, Inspektor Ervis Shkurta, 38 vjeç, efektiv në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, i dyshuar për veprën penale “prodhimi e shitja e lëndëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim.

“Ndalimi i këtij punonjësi policie u krye në vijim të hetimeve me metoda speciale, në funksion të ngjarjes së datës 21.03.2024, ku u arrestuan në flagrancë tre shtetas, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, “kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “mosbindja ndaj punonjësve të policisë”.

Si rezultat i hetimeve intensive u bë e mundur sigurimi i provave dhe i fakteve mbi dyshimet se punonjësi i policisë, Inspektor E. SH., me lidhje të ngushtë shoqërore me njërin prej personave të arrestuar, ka qenë pjesë aktive e sigurimit të kushteve për tregtimin e lëndës narkotike prej 1 Kg e dyshuar kokainë, si dhe ka patur dijeni të plotë për personat dhe vendin ku do ndodhte shkëmbimi i lëndës narkotike”, thanë burime zyrtare nga AMP, teksa hetimet ende vijojnë.

Gjuajtja me armë shërbimi nga një prej efektivëve në aksion u justifikua si veprim në intensitet, dinamikë, por edhe në rrezik jete të agjentëve.

Në pranga ranë Enea Sulejmani, kreu i Transportit Ndërqytetas, në gjendje spitalore pasi u plagos nga policia në aksion, teksa tentoi t’i shtypte në arratisje, si dhe shokët e tij pasagjerë, Igli Begaj, 20 vjeç dhe Shkëlqim Ostreni, 26 vjeç. Sulejmani rezulton edhe kreu i Transportit Ndërqytetas. Si provë u kap edhe 1 kg kokainë e pastër, kurse në kërkim është edhe një person i katërt. /ZOOM.AL/