zoom

Aktualitet

Leje për ciklin menstrual/ Braçe nuk tërhiqet: Nuk është përkëdhelje, por shqetësim shëndetësor!

Pasi propozimi i tij tërhoqi vëmendjen e të gjithëve, deputeti socialist Erion Braçe nuk bën hap pas.

Ai i qëndron idesë se vajzat dhe gratë duhet të marrin leje të paguar në ditët e ciklit sepse për to është një shqetësim shëndetësor i madh.

Duke marrë shembuj të vajzave që studiojnë e punojnë, Braçe shprehet se produktiviteti i tyre në ditët e ciklit nuk është maksimal, ndaj është i nevojshëm pushimi.

Reagimi i plotë i Erion Braçes:

Doktoresha!

Propozimi im për gratë e vajzat është çështje mirëqenieje, kujdesi, dinjiteti! (Po të doni, edhe produktiviteti në punë apo në shkollë).
Nuk është përkëdhelje!

Thënë këtë, duke ju dëgjuar me shumë respekt, dua të sqaroj: Nuk kam thënë që cikli menstrual është vdekjeprurës te gratë e vajzat, jo!

Ama shqetësim shëndetësor i madh në vajza e gra të ndryshme është, bëhet edhe social, edhe shoqëror.

Një pyetje kam: A mundet një vajzë 17, 18, 19, 20, 21, 25 vjeç apo më shumë, në ditën akute të ciklit të rrijë 8, 9, 10 orë ulur në një fasonero, mbi një makinë qepëse tekstilesh, këpucësh, çantash, etj.? Po në një sportel banke? Po në një furrë buke? Kudo?

Po një vajzë 16, 17 vjeç, por edhe më shumë, a mund të rrijë 5-6 orë e më shumë ulur në një bankë klase të dëgjojë, mbajë shënime, zgjidhë e përgjigjet në ditën akute të ciklit, madje edhe e papërgatitur për këtë?

Si thoni?!

Shikoni, këto historitë “hajde, boll u përkëdhele, mëso, puno se s’ke gjë, ec aty”, ndodhin mo, ndodhin, nuk e diskutoj;
Por e kemi mundësine t’i trajtojmë vajzat e gratë ndryshe!