zoom

Blog

Legalizimi i kanabisit mjekësor, “kostum me porosi” apo një iniciativë zhvilluese?

Legalizimi i kanabisit mjekësor duket që është një trend botëror edhe industria e kanabisit në botë parashikohet që deri në 2030 të ketë një përfitueshmëri mesatare vjetore mbi investimin rreth 20.4%

Por gjithsesi lipset një përpjekje për të analizuar nëse legalizimi i kanabisit edhe zhvillimi i industrisë së tij do të rrisin ekonominë edhe punësimin në Shqipëri siç pretendojnë politikëbërësit.

Në këto raste analizat ekonomike janë thelbësore për një politikë të mirë publike, pasi ato ofrojnë informacion rreth masës në të cilën një politikë është në thelb ekonomikisht e favorshme.

Edhe lajmi i parë negativ është se nuk gjendet as publikisht e as konfidencialisht një studim sesi parashikohet që legalizimi të rrisë ekonominë shqiptare apo punësimin.

Padyshim do ketë një rritje të PBB -së, por jo domosdoshmërisht për shkak të zhvillimit por si rezultat i “magjisë së numërimit.”

Prodhimi i Brendshëm Bruto është vlera e tregut të gjithë mallrave edhe shërbimeve të prodhuara në një ekonomi.

Llogaritja e tij edhe pse duket e thjeshtë, ka gjithmonë vështirësi. Një prej këtyre vështirësive është përfshirja e mallrave edhe shërbimet e paligjshme.   Sipas përkufizimit, këto të fundit duhet të përfshihen në llogaritjen e PBB-së. Por në praktikë kjo nuk ndodh, pasi është e vështirë të llogaritet vlera e tyre.

A mundet INSTAT të anketonte tregtarët e kanabisit apo prostitutat për çmimin e mallrave dhe shërbimeve të tyre?

Kur një mall i paligjshëm legalizohet, qoftë edhe pjesërisht INSTAT mund të masë vlerën e tregut të mallit tanimë ligjor duke e përfshirë atë në llogaritjet e PBB-në. Pra asgjë më shumë nuk do të prodhohet por një pjesë e produktit me parë i panumëruar tani do të numërohet.

Një shembull interesant vjen nga Italia e vitit 1987 ku zyrtarët njoftuan se do të përmirësonin metodologjinë e matjes së PBB-së e cila u rrit me rreth një të pestën,  pasi reflektoi në llogaritje ekonominë informale (jo domosdoshmërisht të paligjshme).

Brenda natës, Italia u bë ekonomia e pestë më e madhe në botë, duke tejkaluar Mbretërinë e Bashkuar.  Pasi euforia kombëtare kaloi, italianët e quajtën atë  me tallje “il sorpasso”, në shqip “parakalimi”.

Nëse jemi të interesuar për këtë lloj “parakalimi” mund të fillojmë të mendojmë edhe për legalizimin e prostitucionit.

Me përfshirjen e prostitucionit në llogaritje,  PBB-ja për frymë do të rezultojë edhe më e lartë , por kjo nuk do të rriste asnjë qindarkë më shumë mirëqenien reale te shoqërisë, por mund të ndikonte në përdorimin më të përshtatshëm të zyrave të shtetit.

Rritja e numrit të vendeve të punës është një argument tjetër mbarë botëror i përdorur gjerësisht pro legalizimit të kanabisit mjekësor.

Fakt është që sot në Shqipëri nuk mungojnë vendet e punës por mungojnë punët me produktivitet të lartë, të cilat do të mundësonin pagesa të mjaftueshme për të përballuar kostot gjithmonë në rritje të jetesës.

A do të ofronte legalizimi punësim me produktivitet të lartë ? Në kushtet aktuale kam frikë se jo!

Vendet që kanë përfituar më se shumti nga legalizimi i kanabisit mjekësor edhe që kanë gëzuar avantazhet e punësimit, kanë pasur industri të zhvilluar farmaceutike apo kozmetike.( Kanada, Gjermani, Amerikë).

Ne fatkeqësisht nuk e kemi një të tillë. Por ç’është më e keqja sot që flasim nuk kemi asnjë  plan për të  plotësuar parakushtet për ta fituar në të ardhmen një  avatazh konkurrues në këtë sektor, sepse :

  1. Nuk kemi standarde të konfirmuara të cilësisë së lartë si në bujqësi ashtu edhe në prodhimin e  produkteve parafarmaceutike edhe farmaceutike;
  2. Nuk kemi një reputacion të ngritur ndërkombëtarisht si një vend me prodhim bujqësor efikas;
  3. Nuk kemi parametra të klasit botëror në kërkim zhvillimin parafarmaceutik edhe farmaceutik.
  4. Aktualisht na mungon edhe në vizion një sistem ndërveprues midis kompanive private, universiteteve, instituteve edhe laboratorëve kërkimorë publik apo privat, agjencive qeveritare dhe institucioneve financiare, i cili do të mundësonte krijim edhe shpërndarjen e njohurive brenda industrisë se përpunimit të kanabisit mjekësor . Në këto kushte është utopike të  mendojmë se mund të zhvillojmë një industri  e cila i përshtatet ndryshimeve  teknologjike dhe rregullatore, si edhe të monitorojmë  zhvillimet  që ndodhin në vende të tjera.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm i suksesit afatgjatë të kësaj industrie do të ishte  shfaqja edhe forcimi i firmave lokale. Megjithëse burimet e të mësuarit fillestar përfshinin në mënyrë të rëndësishme investimet e huaja  të cilat janë kanale të rëndësishme për të aksesuar njohuritë e huaja, eksperienca ka treguar që  investimet e huaja priren të kufizojnë rritjen eventuale të aftësive teknologjike vendase, duke na lenë në stadin fason edhe të punësimit “me lopatë”.

Ndoshta edhe këtë herë një numër i kufizuar kompanish ndërkombëtare të cilat mund të kenë akses në politikëbërje, kanë lobuar për legalizimin e kanabisit mjekësor.

As hera e parë e as hera e fundit.

Kujtoj që ligji për asetet virtuale u lobua nga një grup interesi edhe deri këtu nuk ka asnjë mëkat . Mëkat është kur ligji ofrohet “si kostum me porosi” për  grupin e vogël të përfituesve duke mos e kthyer idenë/iniciativën  në një mekanizëm zhvillimi të ekonomisë në tërësi nëse pretendohet se është e tillë.