zoom

Aktualitet

Ky është 22-vjeçari Sinomati, që u ekzekutua me snajper teksa pinte cigare në ballkon

Gëzim Sinomati, 22 vjeç, mbeti viktimë mbrëmjen e djeshme, pasi u qëllua për vdekje me snajper teksa ishte në ballkonin e banesës së tij në Vlorë.

Viktima ishte kthyer në Vlorë për festat e fundivitit nga Belgjika dhe më pas do largohej.

Sinomati ishte duke pirë cigare në ballkon kur është qëlluar nga një distancë e afërt me snajper. Policia ka gjetur edhe një makinë të tipit BMW, të djegur në brendësi të lagjes “24 Maji”. Mësohet se rreth 10-15 persona janë pyetur në polici për ngjarjen që ndodhi të dielën në mbrëmje.

Ata janë kryesisht familjarë të viktimës, por edhe persona që mund të kenë parë autorin. Në dëshminë e tyre nuk është se kanë treguar diçka reale që mund të ndihmojë për ngjarjen në fjalë. Autori ngjarjes ka qenë thuajse i padukshëm në kryerjen e këtij krimi.

Ngjarja dyshohet për larje hesapesh. Gëzim Sinomati, është djali i Sokol Sinomatit i njohur me pseudonimin Sokol Buzëderri anëtar i bandës së Gaxhait. Ndaj duket se saga e hakmarrjes dhe përplasjes së bandave vazhdon. Gëzim Sinomati dyshohet i ekzekutuar për llogari të babait të tij, por nuk përjashtohen as prishje e pazareve të drogës.

Xhaxhait të viktimës Benard Sinomatit vëllait të Sokolit në 4 janar 2022 i vunë tritolin pikërisht në një automjet poshtë ballkonit të shtëpisë ku ndodhi kjo ngjarje. Edhe Benardi aso kohe sapo ishte kthyer nga Belgjika.

Benard dhe Sokol Sinomati të dy vëllezër, janë figura të njohura për policinë, ndërkohë viktima nuk figuron person me precedent penal. /ZOOM.AL/