zoom

Politikë

Kuvendi nis sesionin e dytë me vizitën e Erdoganit, Berisha kthehet në ulësen e tij

Ditën e sotme Kuvendi do të nisë punimet për sesionin e dytë parlamentar të legjislaturës së dhjetë.

Në rendin e ditës, faqja e Kuvendit ka njoftuar vetëm një pikë për diskutim atë të miratimit të procesverbalit të mbledhjes së kaluar dhe fjala përshëndetëse e presidentit turk Rexhep Tayp Erdogan.

Ky sesion pritet të ketë debate të forta politike mes palëve në Kuvend ku një çështje e nxehtë do të jenë edhe ndryshimet kushtetuese për shtyrjen e mandatit të organeve të vettingut deri në fund të 2024.

PS kërkon shtyrjen e këtij mandati, ndërsa PD nuk ka ende një qëndrim zyrtar për këtë çështje.

Po sot në Kuvend pritet të kthehet edhe ish-kryeministri Sali Berisha pas një mungese të gjatë që pas pezullimit nga kryedemokrati Lulzim Basha që u pasua nga një aksion brenda partisë.

Berisha ka deklaruar se do të ulet në vendin e tij të deputetit bashkë me mbështetësit e tij, pjesë e Komisionit të Rithemelimit në PD.

Një tjetër ndryshim në nisje të këtij sesion parlamentar është edhe ai në rang nënkryetarësh. Në vend të Enkelejd Alibeaj, zëvendës i Lindita Nikollës në anën e opozitës do të jetë Agron Gjekmarkaj.