Aplikacion
Një skemë e dyshuar për zaptimin e hapësirave publike dhe zhvillimin e aktiviteteve pa leje në bregdetin e Vlorës po merr formë.
Në qendër është Aljon Çakërri, drejtor i Qendrës së Peshkimit në Vlorë, i cili sipas verifikimeve rezulton i përfshirë në një aktivitet me mjete ujore në zonën e Triportit, në hapësira të destinuara për peshkatarët. Aty është ndërtuar një mol për skafe turistike, që sipas dëshmive përdoret kundrejt pagesës, ndonëse konsiderohet pronë publike.
Inspektoriati i Peshkimit kishte ngritur shqetësimin që në qershor 2024, ndërsa IKMT konstatoi ndërtim pa leje. Megjithatë, masa u anulua një ditë më pas me arsyetimin e një “testimi procedure”, dhe aktiviteti vijoi.
Biznesi figuron në emër të një personi tjetër, por sipas dëshmive në terren menaxhohet nga vetë Çakërri, i cili publikisht mohon përfshirjen.
Ndërkohë, në Karaburun, zonë e mbrojtur, janë konstatuar ndërtime pa leje, përfshirë mol dhe struktura të përkohshme në bregdet.
Rasti rëndohet nga lidhjet familjare të Çakërrit me deputeten socialiste Brisejda Çakërri, duke ngritur dyshime për mbështetje politike.
Tentativa për zgjerimin e aktivitetit me mjete ujore edhe në plazhe publike ka hasur kundërshtim nga operatorët turistikë, të cilët paralajmërojnë rrezik për pushuesit./ Zoom.al