zoom

Ide & Blog

Kush e heton mashtrimin e Institucioneve Financiare që licencon Banka e Shqipërisë?

Nga Irena Beqiraj

Në 20 gusht të vitit 2012, Jim Puzzanghera në Los Angeles Times raportonte: Kompania e mbledhjes së borxhit Brachfeld filloi të ndjekë Senatorin e shtetit Lou Correa (D-Santa Ana) për një borxh të papaguar. Senatori u përpoq t’ju shpjegonte se kishin kontaktuar njeriun e gabuar, por borxh-mbledhësit nuk lëkundeshin nga instikami i tyre.

Ata e telefononin vazhdimisht duke i kërkuar informacione personale. “Dreq o punë- shpërtheu Senatori, si kështu, papritmas barra e provës qenkërka mbi mua”. I sigurt që nuk kishte të bënte me atë borxh, Senatori refuzoi t’u përgjigjej “abuzuesve” me të drejtat e tij, derisa paga e tij filloi të reduktohej.
Kompania e mbledhjes së borxhit Brachfeld kishte marrë një vendim në gjykatë, në mungesë të Correas, i cili nuk dinte asgjë për padinë apo seancën gjyqësore.
Më vonë ai zbuloi se borxhi i përkiste një tjetër Luis Correa nga Santa Ana, i cili kishte një numër të ndryshëm identifikimi, adresë të ndryshme, madje edhe emër të ndryshëm, pasi ligjërisht Senatori quhej Jose Luis Correa.

Pas kësaj eksperience të hidhur, Senatori Correa u bë përkrahësi edhe mbeshtetësi më i flaktë i Ligjit i cili perveç te tjerash kërkonte nga mbledhësit e borxheve të dokumentonin qartësisht se po i drejtoheshin personin të duhur edhe po mblidhnin shumën e duhur të borxhit.

Po tek ne çfarë po ndodh?

“Banka e Shqipërisë nuk heton mashtrimin financiar”, tha Guvernatori, edhe pse mashtrimi është kryer nga një institucion që licencohet nga BSH edhe është i evidentuar në vitin 2020 e zeza mbi të bardhë në një raport, inspektimi të MCA, të përpiluar mjeshtërisht nga inspektorët e departamentit të Mbikqyrjes në Bankën e Shqipërisë!

Por përtej fatit të keq që Banka e Shqipërisë është distancuar nga hetimi i mashtrimeve që kryejnë institucionet që ajo liçenson edhe pse e ka për detyrë të hartojë rregullore që parandalojnë mashtrimin, konfliktin e interesit, që sigurojnë ndershmërinë e integritetin në drejtim si dhe duhet të sigurohet që ato zbatohen me përpikmëri nga subjektet nën mbikqyrjen e saj, ne kemi edhe një problem madhor që na pengon ta rregullojmë situatën.

Kompanitë që blejnë e mbledhin borxhet nuk do të guxonin të rëndonin gabimisht ndonjë deputet tonin (si rasti i Correa). E ndaj njerëzit me mend të Kuvendit që mbikqyrin Bankën e Shqipërisë kanë pak gjasa të provojnë në kurrizin e tyre se sa u ka dhembur mijëra shqiptarëve abuzimi. Megjithëse nuk dua t’u vendos në dyshim ndjeshmërinë pasi mendoj që edhe heshtja totale e tyre ndaj kësaj ngjarjeje duhet lexuar si nderimi i tyre i fundit për të drejtat e njeriut në këtë vend.

E pra në këtë vend do të jetë e vështirë të gjendet ndonjë ligjvënës apo ekzekutues i ligjit që di ti përgjigjet pyetjes se cili është institucioni shtetëror që mbron shqiptarët nga mashtrimi financiar i enteve që ka detyrë të liçensojë, mbikqyrë, kontrollojë, madje dhe t’u vlerësojë nivelin e riskut Banka e Shqipërisë?!