Aplikacion
Nuk ka kryer kallëzim deputeti Salianji ndaj askujt, por ka denoncuar implikimin në trafik droge të vëllait të Ministrit të Brendshëm në detyrë. Krim për të cilin, menjëherë pas denoncimit të Ervin Salianjit vëllai i Ministrit u vetdorëzua në burg në Itali pasi lëvizte i lirë në Shqipëri.
Duke mos ekzistuar kallëzimi, bie edhe përcaktimi “i rremë”.
Kallëzim Publik?
Nuk ekziston asnjë kualifikim vepre penale me këtë përcaktim. Nuk parashikohet në asnjë ligj e nen e si i tillë, dënimi për të nuk ka bazë ligjore. Në të vërtetë ka ndodhur denoncim publik nga foltorja e selisë së partisë më të madhe të opozitës. Pra Salianji dënohet me burg një vjeçar pa ligj.
Dënim me burg?
Gazetari Olldashi, që investigoi e siguroi audiopërgjimin u dënua me 6 muaj shërbim prove, ndërsa Salianji, që e denoncoi me 1 vit burg, i paparashikuar në kodin penal, i cili nga ana tjetër në njohje të shpifjes parashikon tjetër lloj dënimi e assesi burg. Pra masa e dënimit përpos pa ligj, mbetet edhe e pa drejtë. Kryeministri e kish paralajmëruar dënimin qysh herët, madje nga foltorja e Kuvendit, duke paradhënë pretencë e verdikt para prokurorisë e gjykatës.
Shpifje?
Asnjë laborator ndërkombëtar nuk konfirmoi zyrtarisht (siç me bujë e publikisht u premtua nga Kryeministri Rama asokohe), se zëri në audiopërgjimin e denoncuar nuk qe i vëllait të ministrit. Përkundrazi, nuk u përjashtua mundësia të qe i tiji. Por ky premtim nuk u mbajt e prova e manipulimit sipas Kryeministrit nuk u vërtetua kurrë. Kryeministri në deklarimet publike pas dënimit e ka cilësuar veprën si shpifje, por as përcaktimi ligjor e as masa e dënimit nuk e gjykojnë të tillë.
Dëshmitari Alizoti?
Dhjetra përgjime nga Prokuroria dhe SHISH-i i kohës dëshmuan bisedat e dëshmitarit Fredi Alizoti, (kontigjent i policisë me dënime të mëhershme) me zyrtarë policie për shpërblimin, që priste në shkëmbim të shërbimit të vetofrimit si personi “i vërtetë” në audiopërgjim. Asnjë provë e tillë e siguruar nga organet ligjzbatuese nuk u mor parasysh nga gjykata.
Drejtësia e re?
Pas Belerit të dënuar me dëshmi të rreme, Berishës pa prova dhe Salianjit pa ligj dhe një sërë opozitarësh nën hetime, goditja ndaj opozitës po bëhet nëpërmjet Drejtësisë së Re, provat e së cilës gjer më tash kanë dëshmuar keqpërdorimin për interesa pokitike. Në dënimin e Salianjit, trupa gjykuese qe në konflikt të hapur interesi.
Reagimi i Kryeministrit si sulm ndaj lirisë së fjalës?
Kryeministri pohoi një të pavërtetë në shkulmin dixhital prej New York-u pas dënimit të Salianjit. Ai tha se pushteti i tij nuk padit më gazetarët për shpifje, por Bledian Koka e kolegë të tjerë janë sot e kësaj dite në procese gjyqësore pas padive të pushtetit, megjithëse kanë ushtruar profesionin e tyre.
Avokati i Salianjit, Ledio Braho, Këshilltari Ligjor i PD-së Marash Logu, gazetarët Bledian Koka e Sami Neza analizojnë me fakte kronologjikisht të gjithë procesin e dënimit të deputetit demokrat në Task Force.
Skandali tek Onkologjiku/ Edmond Gashi rrëfehet në SPAK: Pacientët më vinin vetë (VIDEO)