zoom

Kosova

Kurti: Serbia ka liruar vetëm 4 nga pesë policët e ndaluar, nëndrejtori mbahet ende në burg

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha sot se sipas informacioneve të fundit, katër zyrtarë policorë të Kosovës, që po mbaheshin në Rashkë të Serbisë, janë liruar dhe i ndaluar vazhdon të mbetet vetëm zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviç.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Kurti tha se zyrtarët policorë ishin ndaluar në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë në Merdarë, Dheu i Bardhë e Jarinjë, si dhe në një pikëkalim kufitar mes Serbisë dhe Kroacisë. Më herët presidentja Osmani denoncoi këtë akt nga Beogradi, duke apeluar te ndërkombëtarët.

“Zëvendësdrejtori i policisë vazhdon të mbahet në burg në Serbi“, tha Kurti, duke iu referuar Jankoviçit. Më 17 prill, autoritetet në Kosovë bënë të ditur se dhjetë zyrtarë policorë të Kosovës – shqiptarë dhe serbë – ishin ndaluar nga autoritetet serbe. Pesë prej tyre u liruan po atë ditë.

Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë bëri të ditur se pesë policët, ishin dërguar në Rashkë. Ai po ashtu tha se Serbia ndaloi dhe “keqtrajtoi” për më shumë se 20 orë, qindra qytetarë të Kosovës që po kalonin nëpër Serbi me autobusë. /ZOOM.AL/