zoom

Ekonomi

Ku do t’i gjejë qeveria paratë për pagat e deputetëve dhe ministrave?! Tek fatura jonë e energjisë

Shfaqja amatore e rritjes së padëshiruar të pagës së Kuvendit përfundoi sot me miratimin final nga të gjithë aktorët.

Ajo që nisi si një kërkesë dhe presion i deputetëve të opozitës dhe u pranua pa dëshirë nga ministrja e Financave (me indeksimin e pagave të administratës, këshilltarja e saj do të kishte rrogë më të lartë se vetë ministrja), bëri bashkë demokratët e të gjitha kampeve dhe socialistët.

Grotesku në këtë shfaqje nis që në hendekun midis normave të rritjes së pagave, për deputetët dhe ministrat deri në 100% ndërsa për punonjësit e shëndetësisë, arsimit, sigurisë etj deri në 7%. Rritja marramendëse do t’i njihet deputetëve që nga muaji prill i këtij viti, ndërsa rritja e papërfillshme e profesionistëve, sigurisht do të jetë e shtrirë në kohë…deri në vitin 2025. (Dietat e deputetëve do të vazhdojnë njësoj).

Edhe këto janë detaje të analizuara nga aktorë mediatikë ose ekspertë private, pasi zyrtarisht detajet janë shumë të limituara. Përsëri sot në Parlament, për herë të disatë, ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj tha se efekti në buxhet i rritjes së pagave për administratën do të jetë 39 mld lekë, por nuk e përmendi se sa do të jetë efekti i pagave për kuvendin dhe ku do t’i gjejë qeveria këtë para.

Referuar të njëjtës ministre, buxheti i shteti ka mundësi vetëm për rritjen e pagës së 130 mijë punonjësve momentalisht.

Përgjigjen e dha kryeministri disa orë pas këtij debati; faturat e energjisë së qytetarëve.

Edi Rama riktheu sot idenë e fashës energjetike, duke parapërgatitur qytetarët për sezonin veror, kur kryeministri tha se mund të vendoset një limit konsumi dhe ccmim më i shtrenjtë i energjisë elektike.  Nëse i referohemi shifrave zyrtare të energjisë apo fjalës së ministres së energjisë Belinda Balluku, një rikthim i fashës nuk është më i pranueshëm. Por nëse mendojmë se deputetët nga halli i miratimit të ligjit të ri do të marrin 310 mijë lekë në muaj, ministrat 350 dhe kryetari i Kuvendit 400, edhe mund të justifikohet një faturë më e shtrenjtë e energjisë, kosto të rritura të biznesit, të ardhura më të pakëta dhe konsum më i ulët.

Efekti i rritjes së pagave për politikanët ndoshta nuk do të jetë në vlerë aq i lartë sa ajo për administratën, por është një presion i shtuar mbi të ardhurat e shtetit, arkëtimet  e të cilit kanë nisur të zbehen me ardhjen e 2023-shit.

Nga ana tjetër është detyrim moral i përfaqësuesve të përzgjedhur të mos votojnë pro një grabitje të tillë nga taksat e qytetarëve dhe të debatojnë se paga që kishin, tre herë më e lartë se paga mesatare në Shqipëri nuk ishte mjaftueshëm.

Ashtu si shkruante Mark Twain, edhe ne kemi qeverinë më të mirë që mund të blesh!/Zoom.al