Aplikacion
Një sasi prej 6 kg kanabis sativa u sekuestrua nga Policia e Tepelenës ditën e sotme. Droga, një pjesë e së cilës e ndarë në doza, shitej në një lokal, edhe për klientelën e përzgjedhur.
Për këtë arsye, në kuadër të operacionit të koduar “Furnitori”, u vu në pranga pronari i lokalit, Haki Rama, si dhe 35-vjeçariAstrit Çela, i cili luante rolin e furnizuesit.
U shpall në kërkim shtetasi, Xhorxhi Shehu, teksa të tre akuzohen për veprën penale “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim.
“Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve nga inteligjenca policore, të siguruara në kuadër të megaoperacionit kombëtar antidrogë të koduar “Tempulli 2”, se disa shtetas përdornin dhe shitnin drogë, në një lokal në fshatin Krahës 1, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Tepelenës, në bashkëpunim me ata të sektorëve Operacional dhe për Hetimin e Narkotikëve të DVP Gjirokastër, finalizuan operacionin policor të koduar “Furnitori”.
Në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit A. Ç., 35 vjeç dhe H. R., 39 vjeç, të dy banues në fshatin Krahës 1. Nga hetimet rezultoi se shtetasi A. Ç. siguronte lëndën narkotike cannabis sativa, me qëllim përdorimin dhe shitjen në lokalin në pronësi të 39-vjeçarit. Gjatë kontrolleve në banesën e shtetasit A. Ç., u gjet dhe një sasi farash cannabisi, që posedoheshin me qëllim shitjen”, tha policia vendore.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin u identifikua si bashkëpunëtor në këto veprimtari kriminale, dhe u shpall në kërkim shtetasi Xh. Sh., 39 vjeç, banues në fshatin Krahës 1 dhe po punohet intensivisht për kapjen e tij.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme. /ZOOM.AL/