zoom

Politikë

Kthesë e madhe, Varhelyi thotë se negociatat për Shqipërinë dhe RMV-në hapen për pak ditë

Pavarësisht se Samiti i javës së shkuar i Këshillit Europian nuk arriti të marrë një vendim pozitiv për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi është optimist se tryeza e parë ndërqeveritare të për të dyja vendet mund të mbahet shumë shpejt. Gjatë raportimi në komitetet e Përbashkëta në Parlamentin Europian ai tha se kjo është çështje ditësh.

“Tani është momenti që të gjithë aktorët të bëjnë hapin e fundit. Kam shpresa të larta se konferencat ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë mund të mbahen brenda pak ditësh. Të dy vendet kanë zbatuar gjithçka që u është kërkuar dhe janë gati. Gati duhet të jemi edhe ne. Tani kemi një zgjidhje në tavolinë, të miratuar nga parlamenti bullgar kështu që të gjitha pengesat janë tejkaluar”, tha Varhelyi.

Por që situatave të ngjashme si ajo e javës së shkuar ku Bullgaria përdorin veton e saj për të bllokuar procesin për Maqedoninë e Veriut t’i jepet fund, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell me anë të një shkrimi në blogun e faqes së Unioni,  shprehet se BE-ja duhet të braktisë parimin e unanimitetit, pasi e pengon atë të marrë vendime të rëndësishme në një periudhë kur zgjerimi i saj është sërish në rend dite.

“Ka arsye bindëse për të sjellë vendet e Ballkanit Perëndimor, për t’i dhënë statusin kandidat Ukrainës dhe Moldavisë, dhe shpresojmë së shpejti edhe Gjeorgjisë. Por në të njëjtën mënyrë, është marrëzi të bësh atë që nuk funksionon me 27 vende, plotësisht të parealizueshme me 30  ose më shumë. Duhet te presim nyjën gordiane”, tha Borrell.

Borell thekson se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të vlerësohen sipas meritave, të përparimit të secilit shtet dhe se zgjerimi nuk duhet kuptuar si një lëshim apo favor, por si një interes strategjik i BE-së.