zoom

Bota

Kthehet “El Nino”, Shkencëtarët parashikojnë temperatura rekord këto dy vite

Bota mund të thyejë një rekord të ri të temperaturave mesatare në 2023 ose 2024, nxitur nga ndryshimet klimatike dhe rikthimi i parashikuar i fenomenit të motit El Niño*, thonë shkencëtarët e klimës.

Modelet klimatike sugjerojnë, që pas tre viteve të modelit të motit La Niña** në Oqeanin Paqësor, i cili përgjithësisht ul pak temperaturat globale, më vonë gjatë vitit, bota do të përjetojë një rikthim në El Nino, homologut më të ngrohtë.

Gjatë El Niño, erërat që fryjnë nga perëndimi përgjatë ekuatorit, ngadalësohen dhe uji i ngrohtë shtyhet drejt lindjes, duke krijuar temperatura më të ngrohta të sipërfaqes së oqeanit.

“El Niño zakonisht shoqërohet me temperatura rekord në nivel global. Nëse kjo do të ndodhë në 2023 ose 2024, nuk dihet ende, por mendoj se ka shumë gjasa të ndodhë,” tha Carlo Buontempo, drejtor i Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike të BE-së, Copernicus.

Modelet klimatike sugjerojnë një kthim në kushtet e El Niño, në fund të verës boreale dhe mundësinë e zhvillimit të një El Niño të fortë drejt fundit të vitit, tha Buontempo.

Viti më i nxehtë në botë i regjistruar deri më tani, ishte 2016, që përkon me një El Niño të fortë – megjithëse ndryshimi i klimës, ka nxitur temperatura ekstreme edhe në vitet pa këtë fenomen.

Tetë vitet e fundit, ishin tetë vitet më të nxehta të regjistruara në botë – duke reflektuar prirjen afatgjatë të ngrohjes, të nxitur nga emetimet e gazrave serrë.

Friederike Otto, pedagoge e lartë në Institutin Grantham të Kolegjit Imperial në Londër, tha se temperaturat e nxitura nga El Niño, mund të përkeqësojnë ndikimet e ndryshimeve klimatike, që tashmë po përjetojnë vendet – duke përfshirë valët e rënda të të nxehtit, thatësirën dhe zjarret.

“Nëse El Niño zhvillohet, ka një shans të mirë që viti 2023 të jetë edhe më i nxehtë se viti 2016 – duke pasur parasysh se bota ka vazhduar të ngrohet ndërsa njerëzit vazhdojnë të djegin lëndë djegëse fosile”, tha Otto.

Shkencëtarët e Copernicus, publikuan një raport ditën e enjte, duke vlerësuar ekstremet klimatike, që bota përjetoi vitin e kaluar, viti i pestë më i ngrohtë në histori.

Europa përjetoi verën e saj më të nxehtë të regjistruar në vitin 2022, ndërsa shiu ekstrem i nxitur nga ndryshimet klimatike, shkaktoi përmbytje katastrofike në Pakistan, ndërsa në shkurt, nivelet e akullit të detit Antarktik arritën nivele të ulëta rekord.

Temperatura mesatare globale në botë, tani është 1.2C më e lartë se në kohët para-industriale, tha Copernicus.

Pavarësisht se, shumica e emetuesve kryesorë të botës, u zotuan të ulin përfundimisht emetimet e tyre neto në zero, emetimet globale të CO2 vitin e kaluar, vazhduan të rriten.