zoom

Aktualitet

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj paraqitet në SPAK

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj është paraqitur mëngjesin e sotëm në SPAK. Kreu i Bashkisë Tiranë mbërriti në SPAK i shoqëruar nga avokati i tij, ndërsa nuk bëri asnjë koment për gazetarët.

Erion Veliaj dhe familjarët e tij janë nën hetim pasuror nga Prokuroria e Posaçme.

Më 6 dhjetor 2024, me urdhër të prokurorit Ols Dados, agjentët e BKH sekuestruan celularin e Ajola Xoxës, si dhe ushtruan kontrolle në qendrën “Harabel”, ku Xoxa ështe bashkëthemeluese.

Te selia e galerisë “Harabel”, që ndodhet në zonën e ish-Bllokut në Tiranë u sekuestruan dokumente e materiale të ndryshme që kanë të bëjnë me hetimet e nisura në lidhje me pasurinë e Erion Veliajt dhe familjarëve të tij.

Ajola Xoxa e ankimoi vendimin, por GJKKO rrëzoi kërkesën e bashkëshortes së kryetarit të Bashkisë Tiranë për kthimin e telefonit disa pajisjeve e dokumentacit të marrë nga SPAK.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by zoom.al (@zoom.al)

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj reagoi pas kontrolleve të SPAK më 6 Dhjetor në banesën e tij dhe biznesin e bashkëshortes Ajola Xoxa.

Përmes një reagimni në rrjetet sociale, Veliaj ka shkruar se ai por edhe familjarët e tij janë të hapur ndaj çdo procedure të organeve të drejtësisë, për të cilat është shprehur se i mbështet plotësisht.

Nga ana tjetër, kryebashkiaku ka dënuar gjyqin që sipas tij i është bërë nga opozita dhe mediat.

Reagimi i plotë i Veliajt:

Duke marrë shkas nga zhvillimet e ditës së sotme, hapat procedurale të kryera nga prokuroria e posaçme në lidhje me hetimin pasuror që po kryhet ndaj meje dhe familjarëve të mi, jo vetëm janë të mirëpritura, por edhe i mbështes në çdo hap.

U bë një kohë e gjatë që hetimin dhe gjykimin tim e bëjnë opozitarët e zhytur në llumin e korrupsionit dhe të “ashtuquajturat media”, që luftojnë çdo zyrtar e funksionar publik që nuk bie prè e presioneve dhe shantazheve të tyre për përfitime të padrejta.

Familjarët e mi dhe unë, si qytetar i këtij vendi, por njëkohësisht edhe në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, do të jemi gjithmonë të hapur për çdo veprim dhe vendim të institucioneve të drejtësisë, por duke përbuzur njëkohësisht me neveri çdo të pavërtetë, që ka si qëllim dëmtimin e imazhit tim dhe familjarëve të mi, si dhe duke përhapur, mbi të gjitha, disinformacione edhe mbi vetë punën e këtyre institucioneve.

Unë nuk bëj pjesë në atë kastë të vjetër politike që, për shumë kohë, e vendosën veten mbi ligjin, mbi drejtësinë dhe mbi llogaridhënien institucionale. Të gjithë këta që i kanë borxhe drejtësisë, rrokin flamurin e përkrahjes së drejtësisë kur në përputhje me ligjin dhe vendimet e gjykatave kryhen veprime procedurale në kuadër të hetimeve, dhe e sulmojnë atë me çdo mjet tashmë që drejtësia ka filluar të veprojë mbi ta, duke thyer kështu tabunë shumëvjeçare të mosndëshkueshmërisë./ Zoom.al

Postime të lidhura