zoom

Aktualitet

Kriza e kompanisë “Air Albania”, edhe ish-presidenti Meta mbetet në Stamboll. Postimi dhe Video

Kriza organizative, por edhe financiare e kompanisë së fluturimeve “Air Albania”, duket se nuk ka prekur vetëm udhëtarët e zakonshëm, por edhe ish-funksionarë të lartë të shtetit apo zyrtarë.

Mes tyre edhe ish-Presidenti Ilir Meta, i cili ditë më parë mori pjesë në forumin ekonomik të Bakut në Azerbajxhan dhe po rikthehej drejt Tiranës.

Por duket se në tranzitin e Stambollit gjithçka nuk ka shkuar si duhet, sepse duhej të kthehej me “Air Albania”. Meta e ka konfirmuar këtë “aksident” në postimin e tij në rrjetin social.

Ai tha se biletat ishin paguar në “bussiness” nga ana e autoriteteve të Azerbajxhanit dhe shoqërohej nga ish-ministri i jashtëm, Edmond Panariti, por kompania e shkaktoi dëmin, duke anuluar fluturimin.

Ai pohoi se i qëlloi të humbiste fluturimin nga Stambolli drejt Tiranës, për shkak se kompania anuloi fluturimin pa paralajmërimin në kohën e duhur. Postimi shoqërohet edhe me një video tensioni e udhëtarëve të shqetësuar dhe indinjuar, disa prej të cilëve kanë pritur edhe disa ditë për shkak të anulimeve dhe pamundësisë për pagesë tjetër.

Ankesat e qytetarëve ndaj kompanisë kohët e fundit janë kthyer në shqetësim jo vetëm psikologjik tek udhëtarët, por edhe financiar, për të cilat “Zoom.al”, ka raportuar herë pas here, duke e trajtuar me prioritet.

Postimi i Metës:

“Mbrëmë më qëlloi të humbisja fluturimin nga Stambolli në Tiranë për shkak se Air Albania anulloi fluturimin pa paralajmërim në kohën e duhur!

Jo vetëm kaq, por u desh të insistonim bashkë me ish-Ministrin e Jashtëm Prof. Edmond Panariti, që të merrnin përsipër akomodimin në hotel, e për më tepër që mikpritësit tanë në Baku i kishin paguar biletat tona në business”. /ZOOM.AL/