zoom

Politikë

Konstituohet kuvendi, Glauk Konjufca zgjidhet kryetar

Me 69 vota për, 33 kundër dhe asnjë abstenim, Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje u zgjodh kryetar i legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës.

Konsitutimi i kuvendit i hap rrugë formimit të ekzekutivit të ri, 37 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Me zgjedhjen në krye të kuvendit, Konjufca merr edhe postin e ushtruesit të detyrës së presidentit.

“Unë zotohem që do ta kryej detyrën time me nderë, përgjegjësi e përkushtim”, tha Konjufca, duke shtuar se ai nuk do të bëjë dallime ndërmjet deputetëve.

“Për mua do të ketë vetëm deputetë të barabartë të popullit të Kosovës”, shtoi ai.

Konjufca tha se për mbajtjen e seancës për zgjedhjen e qeverisë “do të njoftoheni me kohë”.

Menjëherë pas përfundimit të seancën konstituive, kryetarja e deritanishme e kuvendit, Vjosa Osmani ia barti kompetencat Glauk Konjufcës. Ndërkaq, ky i fundit tha se nuk e përjashton mundësinë që brenda disa orëve të mbahet seanca për zgjedhjen e ekzekutivit të ri.

Lëvizja Vetëvendosje synon që menjëherë pas konstituimit të kuvendit, të procedohet me formimin e qeverisë, për të cilën nevojiten 61 vota.

Ndërkaq, me 107 vota për, gjashtë kundër, u zgjodhën edhe nënkryetarë të kuvendit nga tri grupet më të mëdha parlamentare, përkatësisht Saranda Bogujevci (LVV), Bedri Hamza (PDK) dhe Kujtim Shala (LDK). Nga komuniteti serb u zgjodh, Sllavko Simiq dhe Bekim Arifi nga komunitetet joserbe.

Seanca konstituive u udhëhoq nga deputeti më i vjetër në moshë, Avni Dehari (Lëvizja Vetëvendosje) dhe deputetja më e re, Adelina Grainca (Partia Demokratike e Kosovës).

Në nisje të kësaj seance, Dehari u bëri thirrje të gjithëve që t’u përbahen rregullave kundër pandemisë COVID-19.

Kuvendi fillimisht miratoi raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve. Të pranishëm në sallë në seancën konstituiveishin të pranishëm 114 deputetë, nga kuvendi prej 120 ulësesh. Pas verifikimit të mandateve, deputetët bën betimin.

Në këtë seancë konstituive ishin të pranishëm edhe diplomatët e akredituar në Prishtinë.