zoom

Aktualitet

Komisioneri i Zgjerimit “rrëzon” marrëveshjen me Alabbar për Portin e Durrësit

Komisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi, i është përgjigjur letrës së 20 deputetëve të opozitës në lidhje me aferën e Portit të Durrësit.

Letra e deputetëve të PD i drejtohej zëvendëspresidentes së BE, Margrethe Vestager, por përgjigjja ka ardhur nga komisioneri Varhelyi.

Në letrën drejtuar Vestager, opozita ngre shqetësimin kryesor se afera e Portit të Durrësit shkel Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Ndërsa në përgjigjen e tij për 20 deputetët e PD, Varhelyi shkruan se “Komisioni Europian i kushton një rëndësi të jashtëzakonshme përputhjes me MSA-në”.

“Në komunikimet me autoritetet shqiptare, Komisioni ka nënvizuar nevojën për të siguruar që projektet e kësaj marrëveshje të nënshkruar në vitin 2020 mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, përfshirë edhe rizhvillimin e Portit të Durrësit, të jenë në përputhje me parashikimet e MSA, në veçanti në fushat e prokurimeve publike dhe ndihmës shtetërore”.

Varhelyi deklaron se një qëndrim i tillë i është bërë i qartë palës shqiptare edhe gjatë Këshillit Shqipëri-BE të mbajtur më 16 mars.

“Projektet duhet të jenë në përputhje me parimet e transparencës, konkurrencës, trajtimit të barabartë dhe mos-diskriminimit”, thuhet në letër.

Po ashtu, Varhelyi konfirmon dhe njëherë se BE e ka anuluar fondin që ishte vendosur për Portin e Durrësit pasi qeveria shpalli se porti tregtar do jetë në Porto Romano. Ai shkruan se po shihet mundësia se si do përdoren këto fonde pas anulimit.