zoom

Ekonomi

KLSH: Ministria e Financave fsheh shkeljet në zbatimin e kontratës së Aeroportit të Rinasit

Një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka ngritur shqetësimin për mungesë të monitorimit dhe raportimit të punimeve në disa kontrata koncesionare. Tre prej tyre janëAeroporti Ndërkombëtar, Nënë Tereza në Rinas, Rruga e Kombit dhe Rruga e Arbrit.

Në një auditim mbi “Përputhshmërinë” në Ministrinë e Financave, të përfunduar në tetor të këtij viti, KLSH thekson se për monitorimin e kontratës së Rinasit dhe të rrugës së Arbrit ka vetëm përshkrime të llojit “janë në fazë ndërtimi”, apo “punimet vazhdojnë”, por asnjë përshkrim konkret të ecurisë së investimeve që parashikohen në kontratë apo nëse ka pasur shkelje.

E po ashtu, në raport theksohet se Ministria e Financave i fsheh të dhënat lidhur me ecurinë e punimeve të këtyre koncesioneve.

“Konkretisht: koncesione te tilla si Rruga e Kombit, Aeroporti i Rinasit, Rruga e Arbrit e të tjera, mbartin pershkrime të lojit: “janë në fazë ndërtimi”, apo “punimet vazhdojnë”, por nuk përcaktohet ecuria e investimeve të dakordësuara dhe në asnjë rast nuk paragiten te dhëna, nësë kontraktori ka shkelur kushtet kontraktuale. Pra, evidentohet mungesë transparence në të dhënat lidhur me ecurinë e tyre, si rjedhoje dhe me pasoja në monitorim” – thuhet në raportin e KLSH të siguruar nga Zoom.al

Gjetjet e KLSH-së janë një konfirmim i investigimeve të mëhershme nga Zoom.al.

Ndonëse në mungesë të informacioneve zyrtare (siç raporton dhe KLSH), monitorimi i Zoom.al konfirmoi se  koncesionari i aeroportit të Rinasit, nuk i kishte kryer  investimet e parashikuar siç përcaktohej në kontratë.

Kontrata e vitit 2021 kërkonte që koncesionari “Kastrati Group” të kryente një investim 100 milionë eurosh në aeroport, përfshirë,  zgjerimin e kapacitetit akomoduese të aeroportit me 6 milionë pasagjerë në vit, zgjatimin e pistës, përmirësimin e plotë të infrastrukturës dhe rritje të cilësisë së shërbimeve. 3 vite më vonë, thuajse asnjëra nga këto investime nuk është përfunduar nga Kastrati Group.

Këto shkelje, thotë KLSH, raportohen edhe për kontratën e Rrugës së Kombit, një tjetër investim i Kastrati Group dhe ortakut të tij, Salillari.

KLSH kërkon që ministria e Financave të monitorojë këto kontrata dhe të ofrojë informacione rreth tyre, por siç provoi më herët Zoom.al (LEXO KËTU) ministria është e paaftë ta përmbushë këtë detyrim.

Koncesioni i Aeroportit të Rinasit është burimi kryesor i të ardhurave të kompanisë Kastrati Group, siç rezultoi nga një publikim periodik vjetor i Revistës Monitor. Edhe koncesionet e tjera, si Rruga e Kombit, janë ato që i sjellin kompanisë të ardhur. Nga 8.1 miliardë lekë fitime, 5.7 miliardë, ose 75 % të fitimeve, “Kastrati Group” i merr nga shteti. /Zoom.al

PROFIL/ Kastrati, kompania me 75% të fitimeve nga shteti