zoom

Aktualitet

Kishin bërë namin, 2 “skifterët” gjeorgjianë kapen në Kakavijë me 200 bizhu floriri dhe 6 mijë euro

Dy shtetas gjeorgjianë janë arrestuar mëngjesin sotëm në pikën kufitare të Kakavijë, pasi tentuan të dilnin nga territori shqiptar me sasi të mëdha parash dhe sende me vlerë.

Policia e Gjirokastrës tha se u sekuestruan rreth 190 bizhuteri të ndryshme floriri dhe argjendi, 2 monedha floriri, 1 orë dore e markës “Rolex” dhe çelësa për hapjen e dyerve dhe kasafortave. Po kështu edhe 6000 euro që u gjetën gjatë kontrollit në çantat e këtyre shtetasve, në dalje drejt Greqisë.

“Në bazë të analizës së riskut, në dalje të vendit, u kalua për kontroll në vijë të dytë, automjeti me të cilin udhëtonin shtetasit U. E. dhe O. G., në kroskotin e të cilit u gjetën të fshehura bizhuteri të ndryshme (50 unaza, 21 varëse floriri, 12 varëse argjendi, 13 byzylykë floriri, 6 byzylykë argjendi, 53 vathë floriri, 32 medalione, 2 monedha floriri, 1 orë e markës “Rolex”, 1 varëse me perla dhe çelsa për hapjen e dyerve dhe kasafortave)”, njoftoi policia.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast u arrestuan në flagrancë shtetasit U. E., 32 vjeç dhe O. G., 36 vjeç, dy banues në Gjeorgji.

“Vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme”, përfundon njoftimi.

Ata dyshohet se i përkasin një grupi të organizuar të “skifterëve” shëtitës në vendet ballkanike. /ZOOM.AL/