zoom

Bota

Kërcënimi i Trump për ata që s’paguajnë detyrimet në NATO prek edhe Shqipërinë (tabela)

Komentet e kandidatit republikan për President Donald Trump, se nëse fiton, do të lejonte Rusinë t’u bënte “çfarë të donte shteteve të NATO-s që nuk kanë paguar 2 për qind të buxhetit të tyre për mbrojtjen”, përhapën shqetësim mes vendeve anëtare të aleancës.

Gjatë një tubimi në Conëay të Karolinës së Jugut, Trump kujtoi se si gjatë kohës kur ishte president i kishte thënë një anëtari të NATO-s, (pa thënë emrin), se do të tërhiqte ndihmën e Shteteve të Bashkuara për ata që nuk përmbushin detyrimet financiare ndaj organizatës ushtarake.

“Nuk keni paguar? Jeni shkelës i rregullave?” Jo, unë nuk do t’iu mbroj. Në fakt, do t’i nxisja të bëjnë çfarë t’u ketë qejfi. Duhet paguar. Duhet të paguani faturat tuaja”, tha ai. Por sa i përmbushin vërtet anëtarët e aleancës detyrimet ushtarake?

Në 2023-shin, sipas REL, vetëm 11 nga 31 vendet anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) zbatuan udhëzuesin e aleancës ushtarake për shpenzime që mbërrijnë nivelin dy për qind të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtje.

E para në listën e te “dalluarve” është Polonia me 3.9%, që i druhet shumë një agresioni rus dhe po investon masivisht tek mbrojtja. Pas saj vjen vetë SHBA-ja me 3,49%, Greqia me 3.01, vendet balltike, Finlanda e anëtarësuar prillin e vitit që shkoi, Rumania, Hungaria, Anglia e Sllovakia.

Përpos tyre, anëtaret e tjerë përfshirë Shqipërinë me 1.76%, nuk e arrijnë objektivin e pretenduar nga Trump. Por ajo është më lart se vende të tjera që luajnë rol në NATO si Gjermania apo Turqia e Italia që renditet më poshtë tabelës.