zoom

Bota

VIDEO/ Katastrofat natyrore gjunjëzojnë Azinë, përmbytjet evakuojnë 117 mijë persona në Kazakistan

Pas Indonezisë, Kinës, Pakistanit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, me Dubain si asnjëherë tjetër të zhytur i gjithi nën ujë, tani është radha e Kazakistanit. Moti dhe efektet e ngrohjes globale po gjunjëzojnë nga viti në vit ruzullin dhe popujt.

Gati 117 mijë persona janë evakuuar për shkak të përmbytjeve në Kazakistan, njoftoi sot Ministria e Emergjencave. Vetëm 16000 njerëz janë kthyer tashmë në shtëpitë e tyre, tha ministria në një deklaratë, pasi ujërat u tërhoqën në disa zona.

Megjithatë, operacioni i evakuimit vazhdoi në rajonet e Kazakistanit të Veriut, Aktobe dhe Kazakistanit Perëndimor, sipas të njëjtit burim.

Më shumë se 2000 shtëpi u përmbytën dje në rajonin më verior të vendit, thanë autoritetet, ndërsa në kufirin me Rusinë, autoritetet në rajonet Kurgan dhe Tyumen po evakuojnë banorët për shkak të situatës.

Nivelet e ujit në lumenjtë e vendosur në pjesë të Uraleve në Rusi dhe në rajonet e Siberisë jugperëndimore, si dhe në rajonet fqinje të Kazakistanit, po rriten me shpejtësi, thonë zyrtarët. Të martën, presidenti i Kazakistanit Kassym-Jomart Tokayev udhëtoi për në Petropavlovsk, ku guvernatori lokal Gavez Nurmukabetov e informoi atë se 10,345 njerëz në rajon janë evakuuar pasi pjesë të qytetit mbeten nën ujë, tha presidenca.

“Ne po kalojmë kohë të vështira. Kjo është një fatkeqësi në shkallë kombëtare. Mendoj se dhjetë ditët e ardhshme do të jenë kritike, por ne tashmë po ndërmarrim hapa për të rindërtuar vendin dhe për t’u marrë me pasojat e fatkeqësisë,” tha Tokayev në një takim me të prekurit. /ZOOM.AL/