zoom

Ekonomi

Karburantet vijojnë të na vjedhin, ISHTI gjobit 51 subjekte dhe Bankers Petroleum

Tregtarët e karburanteve vijojnë të na vjedhin në çdo formë. Jo pak herë shumë subjekte janë kapur në shkelje duke vjedhur në sasi.

Fenomeni vijon në disa pika. Një qytetar dëshmoi për Zoom.al se për një mbushje e plotë të serbatorit të makinës së tij në një pikë të njohur karburanti në autostradën Lushnje – Fier  kishte paguar për 95 litra në Shqipëri dhe vetëm për 85 në Kosovë.

Por veç sasisë, mjaft pika të tregtimit me pakicë të naftës e benzinës i vjedhin shqiptarët edhe përmes cilësisë.

Provë e kësaj janë gjobat që ka vendosur në muajin gusht Inspektoriati Shtetëror Teknik Industrial (ISHTI).

Plot 51 subjekte janë ndëshkuar, pasi gjatë inspektimeve të kryera nuk janë gjetur me përmbushje të standardeve të kërkuara, kryesisht në lidhje me tregtimin e karburantit që nuk përmbush kritere te nevojshme dhe që përmban vlera të larta të agjentëve të dëmshëm.

Gjobat shkojnë në 17.3 milionë lekë. Por ekspertë të këtij sektori thonë se këto gjoba janë minimale në krahasim me fitimet që kanë pikat abuzuese të karburanteve dhe në raport me dëmin që ato u shkaktojnë konsumatorëve dhe mjedisit.

Masa administrative duket se janë vendosur edhe ndaj kompanisë Bankers Petroleum, në vlerën e 4.2 milionë lekëve. ISHTI njoftoi se shkak është bërë mosrespektimi i normave dhe kushteve teknike, në përputhje me dokumentacionin e inspektimit si dhe vendosje në punë pajisje nën presion pa projekt teknik dhe vërtetim përputhshmërie, në përputhje me dokumentacionin e inspektimit.

ISHTI, një inspektoriat që varet nga Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës që drejtohet nga Belinda Balluku, ka ndërmarrë disa herë aksione dhe drejtuesit e tij kanë premtuar se do t’u japin fund abuzimeve.

Por vetë rezultatet e aksioneve të tyre, me mbi 50 shkelje të gjetura në një muaj, tregojnë se realiteti është ende shumë larg premtimeve. Burime për Zoom.al thonë se abuzimet më të mëdha i bëjnë grosistët e mëdhënj të karburanteve dhe se autoritetet nuk arrijnë të ndërhyjnë për t’i ndalur ato. /Zoom.al