zoom

Aktualitet

Kapet në arrati i kërkuari për trafik droge. Ishte dënuar me rreth 5 vite burgim (EMRI)

Një tjetër arrestim u krye sot në kryeqytet, në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”.

Policia konfirmoi kapjen nga Seksioni i Kërkimit, të një personi të kërkuar, i dënuar me 4 vjet e 8 muaj burgim, për vepra penale në fushën e narkotikëve.

“Shërbimet e Seksionit të Kërkimit, në zbatim të masave të hartuara në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Sundimi i ligjit”, bazuar në informacionet e siguruara për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, kanë intensifikuar kontrollet për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.

Si rezultat, në rrugën “Jordjan Misja”, u kap dhe vu në pranga shtetasi Kledist Hysa, 40 vjeç, banues në Tiranë”, thanë burime zyrtare.

I riu ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e ka dënuar me 4 vjet e 8 muaj burgim, për veprën penale “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

“Megaoperacioni “Sundimi i ligjit” vazhdon. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”, mbyllet njoftimi. /ZOOM.AL/