zoom

Bota

Izraeli vijon bombardimet, 16 të vrarë në pak orë. OKB: Një milion palestinezë u larguan nga Rafah

Agjencia e Kombeve të Bashkuara (OKB) për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA), njoftoi se në tre javët e fundit një milion palestinezë janë detyruar të largohen nga qyteti Rafah në jug të Rripit të Gazës që ndodhet nën objektivin e sulmeve të Izraelit.

Në një deklaratë me shkrim nga llogaria e UNRWA-së në X jepet informacion lidhur me situatën në qytetin Rafah. Në deklaratë thuhet se në tre javët e fundit një milion palestinezë migruan nga Rafah në pjesë të ndryshme të Gazës për t’u shpëtuar sulmeve të ushtrisë izraelite.

Më tej bëhet e ditur se këta njerëz të cilët nuk kanë në vend të sigurt ku mund të shkojnë, po largohen nga sulmet që vazhdojnë. Duke tërhequr vëmendjen për mungesën e ushqimit dhe ujit, në deklaratë thuhet se çdo ditë e më shumë po bëhet pothuajse e pamundur të sigurohet ndihmë dhe mbrojtje për palestinezët në Gaza.

UNRWA në deklaratën e saj më 20 maj njoftoi se brenda dy javësh mbi 810 mijë palestinezë janë detyruar të largohen nga Rafah në të cilin ushtria izraelite vazhdon sulmet e saj. Më 7 maj ushtria izraelite filloi ofensivë tokësore në Rafah të Gazës dhe njoftoi se ka marrë nën kontroll pikën kufitare me Egjiptin në anën e Gazës.

Teksa sulmet izraelite në Rafah vijojnë dhe kanë vrarë të paktën 16 palestinezë, ndërsa banorët raportuan një përshkallëzim të luftimeve në qytetin jugor të Gazës. Sulmet gjatë natës vranë gjithsej 16 persona në lagjen Tel al-Sultan në veriperëndim të Rafahut, sipas Mbrojtjes Civile Palestineze dhe Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze.

“Ishte një natë tmerri,” tha Abdel-Rahman Abu Ismail, një palestinez, i cili është strehuar në Tel al-Sultan që nga dhjetori. Ai tha se dëgjoi shpërthime gjatë natës dhe mëngjesin e së martës, me avionë luftarakë dhe dronë që fluturonin mbi zonë.

Sayed al-Masri, një banor i Rafah, tha se shumë familje janë detyruar të largohen nga shtëpitë dhe strehimoret e tyre. “Situata po përkeqësohet” në Rafah, tha al-Masri. /ZOOM.AL/