zoom

Politikë

Ish-ministri Beqaj pas daljes nga SPAK: Mora hard drive me të dhënat e laptop që m’u sekuestruan

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj u paraqit sot në SPAK për koncesionin e sterilizimit.

Beqaj ka mbërritur në ambientet e Prokurorisë së Posaçme mëngjesin e sotëm, ndërsa pas daljes nga ambientet e SPAK u shpreh se mori edhe hard drive me të dhënat e laptop që iu sekuestruar në apartamentin e tij më 28 dhjetor.

“Sot ishte e premte, dita e paraqitjes por mora edhe hard drive me të dhënat e laptop, që është sekuestruar në apartamentin tim më 28 dhjetor”, tha Beqaj për mediat.

Ish-ministrit i është caktuar nga GJKKO masa e detyrimit të paraqitjes dhe ndalim dalje jashtë vendit pasi ai po hetohet lidhur me disa çështje, kryesisht koncesionet e Sterilizimit dhe Check UP, pasi dyshohet i përfshirë.

Kjo nuk është hera e parë që Beqaj paraqitet në Prokurorinë e Posaçme, teksa ai ka qëndruar me orë të tëra në ambientet e SPAK duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorëve.

Prokuroria e Posaçme është duke hetuar për veprat penale të korrupsionit e fshehjes së pasurisë, ndërsa urdhëroi kontrollin në shtëpinë e Ilir Beqajt, njerëzve të tij të besuar si dhe zyrat e disa bizneseve e kompanisë farmaceutike.