zoom

Aktualitet

Intervista/ Shqipëria, më e rrezikuara në Europë nga fatkeqësitë natyrore

Sipas raportit të “World Risk” të Universitetit të Kombeve të Bashkuara, i cili llogarit Indeksin e Rrezikut të Fatkeqësive bazuar në ekspozimin, ndjeshmërinë, cënueshmërinë, përballimin dhe aftësinë përshtatëse, Shqipëria renditet vazhdimisht e para në Europë për periudhën 2013-2021.

Shqipëria rrezikohet nga tërmetet, nga zjarret dhe akoma më shumë nga përmbytjet ku vit pas viti notojmë në ujërat e rrëmbyer të lumenjve që dalin nga shtratet. Për të kuptuar më shumë rreth shkaqeve të fatkeqësive natyrore dhe rolit të qeverisë, redaksia e “Zoom.al” kontaktoi Zotin Shemsi Prençin, Këshilltar për Emergjencat Civile i Presidentit Ilir Meta dhe ish-Drejtor i Përgjithshëm i Emergjencave Civile për periudhën 2013-2018.

I pyetur rreth shkaqeve të përmbytjeve të përvitshme në vendin tonë, ai tha se kjo ndodh për disa arsye, për shkak të numrit të lartë të ndërtimeve pa leje të cilat janë rreth 1 milion, për shkak të shfrytëzimit barbar të shtratit të lumenjve si dhe prerja e paligjshme e pyjeve për 25 vjet.

Zoti Shemsi tha se nga të gjitha qeveritë pa përjashtim por në mënyrë të veçantë nga qeveritë e Rilindjes, Emergjencat Civile janë parë si një “asgjë”. Sipas tij, qeveria shqiptare ka menduar gjithmonë për të qënë pragmatiste dhe për reagim por fatkeqësitë natyrore kërkojnë investime dhe qeveria jonë e ka treguar haptazi indiferencën ndaj Emergjencave Civile kur në 2015 injoroi ftesën në Kongresin e tretë të Mbrojtjes së Globit në Sendai të Japonisë ku nuk mori pjesë asnjë përfaqësues nga vendi jonë.

 

Intervista e plotë me Shemsi Prençin

1. Zoti Prençi, Shqipëria renditet e para sipas “World Risk” në Europë si vendi më i rrezikuar nga fatkeqësitë natyrore, cilat janë arsyet që ne përmbytemi gjithmonë?

Një ndër arsyet që ne përmbytemi gjithmonë është fakti që Shqipëria ka rreth një million ndërtime pa leje në territorin e saj. Ky numër i lartë ndërtimesh ka ndikuar në erozionin e tokës pasi ndërtimet janë bërë të përcipta dhe nuk është bërë sistemimi i pjesës tjetër të tokës të ekspozuar nga rreziku.

Guroret e kompanive janë një fenomen më vete të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në erozionin e tokës.

Arsye tjetër është shfrytëzimi në mënyrë skandaloze i shtratit të lumenjve, gjithashtu depozitimi i mbeturinave dhe inerteve në shtratin e tyre është faktor për bllokim dhe përmbytje. Shfrytëzimi i paligjshëm i shtratit të lumenjve ka prishur ekuilibrat natyrorë duke sjellë pasoja të rënda në ekosistem.

Bashkë me arsyet e përmendura është dhe prerja e paligjshme e pyjeve për 25 vite në mënyrën më barbare duke e ekspozuar të gjithë sipërfaqen e tokës ndaj erozionit pasojat e të cilit janë vërtetuar nga përmbytjet që kanë ndodhur.

Pra, është rritur shpejtësia  e lëvizjes së ujit për shkak të prerjes së pyjeve dhe shfrytëzimit të paligjshëm të shtratit të lumenjve duke u rritur shkalla e rrezikut prej fatkeqësive natyrore nga veprimet njerëzore të pakontrolluara.

2. Cili është problemi që e pengon qeverinë shqiptare që ne të mos përmbytemi gjithmonë?

Problemi i qeverisë shqiptare është se ka menduar gjithmonë për të qënë pragmatiste, vetëm për reagim prandaj dhe ne përmbytemi gjithmonë por menaxhimi i një Emergjence Civile në mënyrë perfekte, ka nevojë për ndjekjen me rigorozitet të 4 fazave. Faza e parë është planifikimi për Emergjencat Civile, faza e dytë është paralajmërimi i hershëm dhe parapërgatitja. Faza e tretë është reagimi operacional dhe faza e katërt është ndërhyrja për rehabilitim dhe kthimin në normalitet e cila është faza përfundimtare.

3. A e keni paralajmëruar qeverinë shqiptare që duhet të merrte masa gjatë kohës tuaj si Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile?

Ne i kemi bërë prezente qeverisë shqiptare për 5 vite rresht mbi 7 dokumente duke i treguar se çfarë shkruhet në raportin e Kombeve të Bashkuara për Mbrojtjen Civile të vendeve të Europës ku raporti i Universitetit të Kombeve të Bashkuara të Bonit të Gjermanisë e rendit Shqipërinë nga shumë faktorë si vendi më i rrezikuar nga fatkeqësitë natyrore.

4. Në vitin 2019 miratohet ligji i ri për Mbrojtjen Civile Nr.45/2019, si e ka parë çështjen e Emergjencave Civile qeveria shqiptare?

Edhe me hyrjen në fuqi të ligjit të ri 45/2019 Mbrojtja Civile e republikës, çështja e Emergjencave Civile nga të gjitha qeveritë pa përjashtim,  por në mënyrë të veçantë nga qeveritë e Rilindjes është parë si një “asgjë”, nuk është mbështetur me fonde, me projekte, me struktura dhe mbi të gjitha nuk është mbështetur me ide.

Ne sot mund të jemi i vetmi vend që kemi plan kombëtar për Mbrojtje Civile sepse e kemi hartuar ne por s’kemi strategji sepse nga kjo strategji do të burojë rakordimi për të miratuar fonde vit pas viti, pra investime të reja

5. A kemi ne pajisje moderne të cilat nuk shfrytëzohen për Emergjenca Civile?

Po kemi dhe rasti më konkret është qendra e zjarrfikëseve në Bashkinë e Tiranës ku ndodhet një mjet autoshkalle i cili ka një shkallë krahu prej 54 m gjatësi dhe që kushton 960 mijë euro. Ky mjet nuk është në gatishmëri pune për shkak të një paketë elektrike e cila maksimumi kushton 2 mijë euro.

Ky është mjeti më modern që ka sot qeveria shqiptare për fatkeqësitë natyrore sepse autoshkalla nuk përdoret vetëm për të hipur në katet e larta të një pallati për të shpëtuar njerëzit që rrezikohen nga zjarri por përdoret edhe për njerëzit që rrezikohen të mbyten në lumë. Është një mrekulli e teknologjisë që mund të përdoret për shumë emergjenca.

6. A ka patur investime nga Bashkimi Europian gjatë kohës që ju keni qënë Drejtor i Përgjithshëm?

Në rastin e përmbytjes së 2015 ne kemi përfituar 16 mln euro nga BE-ja të cilat janë investuar në mënyrën më të turpshme të mundshme nga Ministria e Bujqësisë në lumin Vjosa dhe çuditërisht atje ku është investuar, atje ka dalë Vjosa nga shtrati, çka do të thotë se papërgjegjshmëria e institucioneve për të investuar është pengesa kryesore.

7. A ka patur ndonjë rast ku Shqipëria ka dhënë ndihmë për vendet e rajonit në raste fatkeqësish natyrore?

Për herë të parë në vitin 2017, Shqipëria ka dërguar 7 ekipe operacionale kur shpërtheu një digë hidrocentrali në Bosnje-Hercegovinë ku 6 ekipe kanë qënë nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë Shkodër të pajisura me mjete moderne dhe një ekip ka qënë ekipi i Ndihmës së Shpejtë që ka qënë nga qendra vullnetare e Mbrojtjes Civile e ngritur me iniciativën time dhe të zotit Nebil Muça në 2015.

8. Pse e shmang qeveria shqiptare çështjen e Mbrojtjes Civile?

Qeveria shqiptare e shmang çështjen e Mbrojtjes Civile sepse asnjëherë nuk e ka vlerësuar, as në Shqipëri dhe as në evenimentet që zhvilloheshin në rajon apo në konferencat që zhvilloheshin në botë ku neglizhenca dhe hipokrizia e qeverisë arriti kulmin kur nuk iu përgjigj ftesës të Kongresit të tretë botëror në vitin 2015 për Mbrojtjen e Globit në Sendai të Japonisë.

I vetmi vend që nuk është përfaqësuar ka qënë Shqipëria pasi është injoruar ftesa nga Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm i asaj kohe

9. Cilët janë lumenjtë që paraqesin rrezik në zonat urbane?

Lumenjtë që paraqesin rrezik në zona urbane janë lumi Tërkuz, lumi në Zonën e Zall Herit dhe lumi i Tiranës. Lumi Tërkuz për tre orë nga burimi zbret në det dhe vetëm dy trungje dhe disa gurë mjaftojnë për ta devijuar rrjedhën e tij duke u futur dhe përmbytur në zona të banuara ashtu siç ka ndodhur disa herë. E njëjta situatë me lumin që kalon në zonën e Zall Herit dhe vjen gjatë pjesës veriore.

Lumi i Tiranës paraqet rrezik konstant dhe në shtator të 2013 e ka treguar duke përmbytur Laprakën, zonën 3. Kjo ndodhi pasi plehrat ishin hedhur të gjitha në lumë, më saktë kartoni kthehet si digë betoni  dhe lumi ka ardhur sikur lëviz një liqen. Ky është fenomeni i tapës.

10. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile prej dy vitesh ka një personel prej 100 vetash dhe vera e vitit 2021 i gjeti të papërgatitur nga zjarret, sipas jush pse dështoi menaxhimi i zjarreve?

Zjarret ishin një dështim sepse Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare Haki Çako dhe Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ishin në pushime ndërkohë që vendi kishte 100 vatra zjarri duke sjellë një dështim total të qeverisë shqiptare në këtë drejtim.

Si Këshilltar i Presidentit për Emergjencat Civile i kisha përgatitur disa materiale Presidentit Ilir Meta dhe Presidenti reagoi menjëherë në media kur ra zjarri i parë në malin Tomorr por konfliktet politike shihen me sy tjetër nga disa ministri dhe drejtori duke anashkaluar detyrat e tyre prej mangësive në lidership.

Shtrohet pyetja, ne mbrojtjen e territorit shqiptar e kemi për Kryeministrin dhe Presidentin apo për të gjithë shqiptarët? Territori shqiptar na përket të gjithëve prandaj në këtë drejtim duhet të jemi bashkë për të dalë nga situatat e katastrofave natyrore që kërcënojnë vendin tonë.

11. A kemi ne mundësi që të përmirësohemi në Mbrojtjen Civile?

Ne kemi mundësi në çdo pikëpamje që me një strategji të mirë për Mbrojtjen Civile të republikës, të kurohen hap pas hapi të gjitha zonat e riskut të lartë në territorin e Shqipërisë, qoftë në Ultësirën Perëndimore, qoftë edhe në zonat e lumenjve ku kemi mbi 16 lumenj të rrezikshëm.

Çdo qeveri duhet të rrisë buxhetin rreth fondit rezervë, duhet të investohet më shumë pasi kjo është e vetmja mënyrë për të parandaluar fatkeqësitë natyrore dhe mbi të gjitha duhet të ulet ndotja nga efekti serrë ku qeveria shqiptare ende nuk ka marrë asnjë masë.

Me investimet e duhura mund të kurohen lumenjtë me rrezik të lartë, mund të përmirësohet sistemi i kanalizimeve por gjithmonë nëse nuk ka abuzime me koncesionet e inceneratorëve dhe të rrugëve ku shkon 20 mln euro km. Ne i kemi mundësitë dhe kapitalet për të kuruar zonat me rrezik të lartë duke vendosur një moratorium të rreptë për pyjet mbi 10 vjet ndërkohë që ne akoma jemi në moratorium për pyjet por motorrsharrat bëjnë kërdinë duke prerë pyjet pa patur masa ndëshkimore për këtë fenomen./ Zoom.al –Intervistoi Armand Kullau