zoom

Sport

Inter mbetet me “gisht në gojë“, Lukaku pranon t’i bashkohet ekipit tjetër të Serie A

Romelu Lukaku gati të tradhtojë Interin dhe të veshë fanellën e rivalëve më të urryer të zikaltërve, atë të Juventus.

Sulmuesi belg ka mbajtur bisedimet e para me drejtuesit torinezë duke i lënë të hapur mundësinë e një bashkëpunimi nga sezoni i ardhshëm.

Një lajm sensacional duke qenë se pak kohë më parë Lukaku shprehej i bindur se në Itali mund të aktivizohej vetëm në radhët e Inter.

Ditën e djeshme, Juventus ofroi 37.5 milionë euro, plus 2.5 bonus, për kartonin e belgut, por vendosi si afat datën 4 gusht, pasi të shitet Vlahovic.

Nga ana tjetër, Interi barazoi ofertën, duke marrë një miratim nga Chelsea, megjithatë avokati i Lukakut, Sebastien Ledurre nuk u përgjigj në telefon për të çuar përpara marrëveshjen.

Mediat italiane raportojnë se gjatë ditës së premte, as Lukaku dhe as agjenti i tij nuk u janë përgjigjur në telefon drejtuesve të Interit, duke acaruar jo pak këta të fundit, që po bëjnë gjithçka për të rikthyer belgun.

Pas kësaj sjelljeje duket se qëndron avokati i Lukakut, Sebastien Ledurre, i cili paralelisht po negocion me Juventusin dhe Milanin, pasi dëshiron të rrit sa më shumë pagën e Lukakut, por edhe komisionet e tij.

Në kampin zikaltër duket se do të presin edhe sot një reagim, megjithatë nuk përjashtohet mundësia që te Interi të tërhiqen, të zhgënjyer jo pak nga sjellja e sulmuesit belg. /zoom.al/