zoom

Aktualitet

Inskenoi grabitjen dhe më pas vdekjen e tij, jepet MASA për italianin Davide Pecorelli

Davide Pecorelli, italiani që u bë super i famshëm në Shqipëri për shkak se sajoi një histori të jashtëzakonshme të vdekjes së tij, tashmë do të jetë me një masë sigurie nga autoritetet shqiptare, edhe pse në mungesë. Mësohet se Prokuroria ka mbyllur tashmë hetimet dhe e akuzon italiane për 4 vepra penale si mashtrim, pengim i zbardhjes të së vërtetës, shkatërrim prone dhe dhunim varresh.

Prokuroria e Pukës i komunikon akuzën nëpërmjet letër porosisë dhe i kërkon polices ta arrestojë menjëherë në momentin që ai do të paraqitej në Shqipëri. Ne përfundim të gjykimit dhe në rast se Pecorreli do të dënohet atëherë do të kërkohet ekstradimi i tij nga Italia që të vuante dënimin në Shqipëri.

Davide Pecorelli humbi në janar të 2021 Pukë, ku gjet e djegur makina që ai kishte marrë me qira, brenda së cilës u gjetën edhe mbetje skeletore. E teksa autoritetet italiane dhe ato shqiptare u ngritën në këmbë për të mësuar se çfarë kishte ndodhur me biznesmenin, më 17 shtator ai u gjet shëndoshë e mirë.

Kur të gjithë e dinin të vdekur, biznesmeni italian Davide Pecorelli, u shfaq për mrekulli shëndoshë e mirë në një gomone pranë ishullit Montecristo, duke tronditur jo pak e duke sjellë me vete edhe ‘historinë’ se ku kishte qenë dhe çfarë kishte bërë përgjatë 9 muajve që ishte shpallur i zhdukur. “Po kërkoja një thesar” tha ai, deklaratë që habiti jo pak, thuajse aq sa edhe rishfaqja e tij.

Në Itali ai jeton i lirë, por është i gatshëm që të kthehet në Shqipëri dhe të përballet me drejtësinë për skenarin e realizuar si në filma, të vdekjes së sajuar të tij për t’i shpëtuar borxheve si pasojë e falimentit në biznese.