zoom

Ekonomi

Inflacioni në vend, tjetër rekord/ 3.9% për shkurtin, ndikuar nga rritja e çmimit të transportit

Inflacioni u rrit sërish në muajin shkurt dhe arriti nivelin 3.9% nga 3.7% që ishte në janar, duke prekur nivelin më të lartë të 10-vjeçarit të fundit.

Kjo rritje është më e përqendruar te produktet ushqimore, shërbimet e transportit dhe produktet energjetike.

Inflacioni i grupit “ushqime dhe pije joalkoolike” në shkurt arriti në nivelin 6.9%, duke vijuar tendencën e rritjes së shpejtë që po regjistron në muajt e fundit.

Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, inflacioni i ushqimeve ishte vetëm 3.2%, gjë që tregon ritmet e larta të shtrenjtimit të këtyre produkteve.

Sipas Instat, produktet që janë shtrenjtuar më shumë krahasuar me një vit më parë janë ato të nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet”, me 16.4%, pasuar nga nëngrupet “vajra dhe yndyrna” me 10.1%.

Inflacioni i grupit “transporti” për shkurtin arriti në 10.4%, nga 9% që kishte qenë në janar. Kjo reflekton efektin e rritjes së shpejtë të çmimit të karburanteve gjatë muajve të fundit. Vetëm nëj vit më parë, inflacioni i grupit “transporti” ishte negative, në masën -3.9%, gjë që dëshmon qartë përmbysjen e madhe të tendencës së çmimeve të karburanteve dhe rreziqe gjithnjë e më të mëdha që ky shtrenjtim po sjell për të prodhuar një spirale inflacioniste në ekonomi.

Inflacioni i grupit “qira, ujë, lëndë djegëse, energji” për shkurtin rezultoi 1.8%, nga 1.9% që kishte qenë në janar. Megjithatë, krahasuar edhe në këtë grup rritja e inflacionit është e dukshme krahasuar me një vit më parë, kur ndryshimi i indeksit vjetor të çmimeve të konsumit ishte 0.

Megjithëse në terma mesatarë inflacioni ngelet më i ulët krahasuar me ekonomitë më të zhvilluara, si ato të Eurozonës apo të SHBA, pritshmëritë janë për një rritje të mëtejshme, duke parë tendencën në rritje të indeksit të çmimeve të prodhimit, të atyre të importit apo të indeksit të presioneve të huaja inflacioniste, që llogaritet nga Banka e Shqipërisë.

Shtrenjtimi me ritme të shpejta i energjisë dhe i karburanteve po ushtron presione gjithnjë e më të larta të kostove të prodhimit për bizneset, duke u reflektuar tek çmimet finale dhe duke gjeneruar presione inflacioniste shtesë.

Zhvlerësimi i monedhës pritet të japë një efekt edhe më të madh në përcjelljen e inflacionit të importuar në ekonomi.