zoom

In Zoom

Ikën vetë apo i hoqi Rama? Deputetët që u lanë jashtë listave tregojnë arsyet

20 deputetë aktualë të Partisë Socialiste u lanë jashtë listave. Disa prej tyre dhanë dorëheqjen e disa u larguan për motive ende të pasqaruara ose të dyshimta.

Vasilika Hysi, Musa Ulqini, Sadri Abazi, Eglantina Gjermeni, Sadi Vorpsi, Fate Velaj apo Alket Hyseni kanë folur publikisht për motivet, dikush para gazetarëve e dikush nëpërmjet rrjeteve sociale.
Secili prej 6 të sipërcituarve nuk ka përmendur ndonjë konflikt, qejfmbetje, apo përjashtim. Por a janë të vërteta sqarimet e tyre publike apo pas tyre fshihen pakënaqësi e përjashtime?

Vasilika Hysi ishte ndër të parat që e njoftoi largimin. Ajo tha se e kishte kryer misionin e saj, që kishte qenë Reforma në Drejtësi.

“Ishte kënaqësi që sot sic hyra në politikë, sot bëj këtë dalje për të thënë që në këto 12 vite, mundëm të bëjmë realitet një ëndërr që e kemi patur të gjithë bashkë. Sot jam krenare që mundëm t’ia dalim. Betejën e kuptuam se nuk ishte e lehtë, por ai dolëm. Kur filloi reforma në drejtësi unë kisha 30 vite eksperiencë në mësim dhënie. Ka qenë një universitet i dytë. Vitet e reformës në drejtësi janë një shkollë e vërtetë. Ndihem shumë e privilegjuar sot, qe kam qenë pjesë e kësaj reforme, që PS, ju më keni besuar. Erdha në politikë pa qenë pjesë akvite e politikës.

Në korridoret e politikës thonë se Hysi nuk është nga ato deputete që ka elektorat. Dhe meqë Edi Rama po vë në lojë gjithccka për të qëndruar në pushtet edhe për 4 vjet të tjera, një deputete si Hysi nuk është një nga ato figurat që i duhet tani.

Musa Ulqini po ashtu tha se ishte larguar me dëshirën e tij.

“Unë jam shumë i emocionuar të them sot që kam qenë shumë i nderuar që u kam shërbyer qytetarëve shqiptarë dhe socialistëve për 25 vite rresht. Dhe kjo pa diskutim është një nder që më është bërë mua dhe jam përpjekur që ta justifikoj duke ofruar një model në politikën shqiptare dhe gjithmonë jam udhëhequr nga parimi që ndershmëria është politika më e mirë”, deklaroi ai para gazetarëve në dyet e Parlamentit.

Edhe Ulqini nuk shquhet si politikan që ka mbështetje në elektorat. Edi Rama e ricikloi atë kur i nevojitej të tregonte që Partia Socialiste nuk po promovonte vetëm njerëzit që ai kishte pasur dikur në Bashkinë e Tiranës.

Eglantina Gjermeni nuk u zgjat shumë në arsyet e largimit.

“U largova vetë, kam gati një vit që ia kam thënë Kryeministrit që nuk do të jem më në listë. Ka qenë për arsye personale”, tha ajo. Gjermeni ka qenë ministre në qeverinë Rama 1, por pas largimit nga kabineti nuk është parë në rreshtin e parë të politikës aktive. Ajo s’ka elektorat të sajin dhe nuk ka qenë as aktive në media për të mbrojtur ato që Edi Rama i quan si arritje të qeverisë së tij në 8 vjet.

Sadri Abazi është parë gjithnjë si një hambar votash në zona të caktuara për PS. Është një biznesmen i suksesshëm dhe një prej donatorëve më të mëdhenj të PS. I përfolur shpesh jo vetëm për çfarë ka bërë për të marrë votat për PS, por edhe për përfitimet nga pushteti, nuk shihet më nga Rama si person që mund të bindë njerëzit të votojnë për PS me të njëjtat metoda të përdorura deri tani, si punësime në shtet e biznesin privat. Ai nuk pranoi t’u përgjigjej gazetarëve kur e pyetën nëse Rama e kishte hequr, por qeshi me të madhe përpara se të futej në sallën e kuvendit. Mbase ka qenë edhe ai dakord që ta shkëpuste marrëdhënien e lodhshme pushtet – biznes.

Fate Velaj i katapultuar në politikë nga vetë Rama, nuk ka asnjë qejfmbetje. Ai u shfaq i vetëdijshëm që nuk i duhet më Edi Ramës, në një pikë sa arriti kulmin e sinqeritetit, që në vetvete tregon filozofinë politike të kryeministrit dhe një ndër arsyet më të besueshme për largimet e deputetëve aktualë nga lista.

“Partia Socialiste ka autorizuar Edi Ramën që të bëjë këtë rrugë të gjatë. Dhe i duhen njerëz për etapa të caktuara. Për këtë pjesë rruge unë isha i duhuri, në pjesën tjetër do marrë dikë tjetër. Nuk mund të mbajë të njëjtët njerëz deri në Kinë. Unë deri javës tjetër jam në Kuvend, do të pyes familjen për një vendim tjetër (kur pyetet për postin e kryebashkiakut), e cila jeton në Vjenë. Nuk e kam ndjekur dhe aq shumë përplasjen mes Lelit në Vlorë, deri në 6 shtator jam deputet, jam i fokusuar te fushata ime”, tha Velaj.

Sadi Vorpsi, ish –prefekt i Tiranës, tha gjithashtu se ishte larguar për motive personale. Por arsyet e tij janë ndër më të dyshimtat. Zoom.al ka mësuar se ai kishte bërë gati gjithçka nevojitej për fushatën në Tiranë, por ka vendosur të largohet kur është informuar se nuk do të ishte në vendet fituese të listës së Tiranës. Kryeministri vetë nuk bëri asnjë përpjekje për ta bindur. Ai mendon se PS mund të marrë votat e parashikuara edhe pa atë.

 “Ka qenë një zgjedhje personale e imja, ishte zgjedhje imja! Jua thashë dhe njëherë, ishte thjesht një zgjedhje personale e imja, unë e kam sqaruar shumë mirë dhe në statusin që bëra, do të vazhdoj të jem pjesë e maxhorancës”, tha ai jo pa nervozizëm.

Alket Hyseni, deputeti me një pasuri marramendëse, u përjashtua nga listat. Burime të Zoom.al mësuan se ai kishte shprehur pakënaqësi që ishte vendosur i 11-ti në listën e Vlorës. Kur Rama e mësoi qejfmbetjen, u tha miqve të përbashkët se do ta largonte nga lista.

“Kishte vend për mua, por të jesh në listën e PS është nder dhe privilegj. Nuk është çështje pranimi, e kam falënderuar kryeministrin, i kam kërkuar ta jap kontributin tim ashtu siç e kam dhënë para 2017” deklaroi Hyseni.

Po t’i shohësh largimet, kategoria e të larguave është vetëm një: ata që nuk i duhen Edi Ramës, se nuk i mbledhin më vota. Dhe kjo nuk është diçka që Edi Rama ka tentuar ta fshehë me çdo kusht. Ai e pranoi këtë qëndrim të tijin kur foli publikisht për arsyet e largimit të Ditmir Bushatit, teksa tha se ai nuk punonte me elektoratin. ©Zoom.al