zoom

Politikë

I përshirë në ngjarjen e Elbasanit/ Njeriu që bën fushatë për Taulant Ballën, i dënuar për 5 milion paund kokainë në Angli

Mehmet Greca, 36-vjeçari i përfshirë në ngjarjen e ndodhur në Elbasan të Mërkurën, ku një person u vra dhe katër të tjerë u plagosën, rezulton i dënuar me burg nga autoritetet britanike, për vepra penale që lidhen me narkotikët.

Edhe pse Greca ishte i përfshirë në ngjarje, për Policinë, ai është i pafajshëm. Sipas rindërtimit të dinamikës nga uniformat blu, Mehmet Greca ishte nën drejtimin e një mjeti tip fuoristradë “ML”, që është bllokuar nga grupi i aktivistëve të PD, nën dyshimet se në automjet kishte karta identiteti dhe para që do përdoreshin për të blerë vota për llogari të Partisë Socialiste.

“Ndaj këtij shtetasi dyshohet se janë kryer veprime të kundërligjshme të heqjes së paligjshme të lirisë, nëpërmjet dhunës të kryer në bashkëpunim”, deklaroi kreu i Policisë së Shtetit Ardi Veliu një ditë më parë, duke përjashtuar çdo përgjegjësi penale ndaj Grecës.

Ky i fundit, ndërkohë, në një intervistë të dhënë për “Top Channel” pas ngjarjes, Mehmet Greca pohoi se bën fushatë për Partinë Socialiste, por mohoi se ishte i përfshirë në shit-blerje votash. Ai po ashtu, mohoi të ketë kryer veprime të paligjshme. Greca tha se në makinë, ju gjetën postera të Partisë Socialiste, ku apelohej për të votuar Taulant Ballën, kandidatin e PS në Elbasan.

Posteri i treguar nga Greca gjatë intervistësMehmet Greca, i cili po bën fushatë për Ballën, është një person i dënuar me burg nga autoritetet britanike. Sipas raportimeve të mediave lokale, në Nëntor 2017, Greca është dënuar nga gjykata penale e shkallës së parë në Harrow me gjashtë vite burgim dhe një gjobë prej më shumë se 80 mijë paund, për posedim droge të klasit A dhe pasuri të vënë në rrugë kriminale.

Sipas raportimeve, në dhjetor 2016, në banesën ku Greca jetonte u gjetën 51 kg kokainë me pastërti të lartë, mbi 80 paund (Cash) dhe një makineri që shërbente për numërimin e parave. Vlera e drogës së sekuestruar vlerësohet rreth 5 milion paund.

Jonathan Payne nga njësia kundër krimit në policinë lokale, tha se Greca synonte të mbushte rrugët e Londrës dhe Britanisë së Madhe me një sasi të madhe të drogës së klasës A.

“Ky ishte një konfiskim i rëndësishëm i kokainës, duke sekuestruar një sasi të madhe droge dhe një shumë të konsiderueshme parash”, citohet punonjësi i autoritetit ligjzbatues nga “times-series.co.uk”.

Më tej në artikull, thuhet se Greca pranoi fajin.