zoom

Lajme

Hysaj me “valixhe në duar” te Lacio, drejt largimit te “sheikët” në Arabinë Saudite

Raporti Lazio-Elseid Hysaj mund të konsiderohet i mbyllur.

Pas një evropiani jo pozitiv për Elseid Hysajn me kombëtaren tonë, në rastin e uljes së kokës te goli i Barrella me Italinë, edhe e ardhmja e tij në kryeqytetin italian nuk duket e sigurtë.

Minutat e pakta në sezonin e fundit me bardh e kaltrit, mund të jenë shkaku kryesor që shkodrani të kërkojë një ambjent të ri për sezonin e ardhshëm. Sipas mediave italiane, për futbollistin e Kombëtares shqiptare kanë shfaqur interes klube nga Lindja e Mesme që janë gati të bëjnë një lëvizje për mbrojtësin e djathtë.

Lacio do të ishte gati të linte Hysajn të largohet, duke marrë parasysh se ka një rrogë të lartë që kalon mbi 2 milionë euro në sezon në këtë vit të fundit të marrëveshjes mes palëve.

Njëkohësisht, për klubin italian mund të regjistrohej një përfitim ekonomik në rast shitje të futbollistit, të cilin e mori nga Napoli me parametër zëro dy vite më parë. Në ditët e tij priten të reja nga Hysaj, por e sigurtë është, që mbrojtësi i përfaqësueses tone është me “valixhe” në duar. /ZOOM.AL/