zoom

Aktualitet

Hodhi molotov te protesta para bashkisë, kush është 49-vjeçari nga Thumana që u arrestua dhe akuzat

Një ditë pas tubimit të mbajtur nga opozita përpara Bashkisë së Tiranës, policia ka nisur ndjekjen e të dyshuarve që përdorën lëndët plasëse dhe djegëse, madje duke rrezikuar policinë dhe gazetarët.

Policia ka njoftuar sot se është arrestuar një 49-vjeçar i dyshuar dhe marrë nën hetim një tjetër.

Sokol Bushkolaj ka rënë në pranga pasi mbi të rëndojnë akuzat e “prishja e qetësisë publike”, “shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “shkatërrimi i pronës me zjarr”, “goditjet për shkak të detyrës” dhe “vrasja me dashje” mbetur në tentative.

Ndërkohë edhe një 22-vjeçar është proceduar në gjendje të lirë. Tashmë materialet i kanë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.

“Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në lidhje me aktet e dhunshme të ushtruara gjatë protestës së zhvilluar më datë 28.05.2024, përpara Bashkisë Tiranë, nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në vijim të veprimeve hetimore e procedurale dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ndaloi shtetasin:

S. B., 49 vjeç, banues në Thumanë, për veprat penale “prishja e qetësisë publike”, “shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “shkatërrimi i pronës me zjarr”, “goditjet për shkak të detyrës” dhe “vrasja me dashje” mbetur në tentativë. Ky shtetas është ndaluar dhe më datë 08 maj, në lidhje me protestën e datës 07 maj 2024”, njoftoi policia.

Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë shtetasi K. B., 22 vjeç, banues në Tiranë. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme. /ZOOM.AL/