zoom

Politikë

HISTORIKE/ Talat Xhaferi votohet kryeministër i Maqedonisë së Veriut

Moment historik në Maqedoninë e Veriut, aty ku për herë të parë u votua si kryeministër një emër shqiptar.

Talat Xhaferi u votua në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut me 65 vota pro dhe 3 kundër, duke hapur kështu rrugën për krijimin e qeverisë teknike.

Pjesë e votimit nuk u bë partia më e madhe opozitare në shtetin fqinj, VMRO-DMPNE, anëtarët e së cilës ishin në sallë, por nuk ngritën kartonët.

Talat Xhaferi do të jetë në detyrën e kryeministrit për 100 ditë, periudhë gjatë sl cilës duhet të punojë për të përgatitur vendin për zgjedhjet parlamentare të majit.

Edhe pse bëhet fjalë për një mandat të shkurtër dhe teknik, Talat Xhaferi premtoi se këto 100 ditë do t’i shfrytëzojë në luftën ndaj korrupsionit dhe sundimin e së drejtës.

“Njeriu mbahet mend për veprat që i lë në trashëgimi për gjeneratat e ardhshme dhe rrugët që i trason në histori. Nuk ekzistojnë fjalë mjaftueshëm të fuqishme që e përshkruajnë kontributin dhe vizionarizmin Ali Ahmeti në ndërtimin e historisë bashkëkohore të shtetit tonë. Sot jemi dëshmitarë të një dite historike për ne!”, tha Talat Xhaferi.

Talat Xhaferi i ka dorëzuar në Kuvend emrat e kabinetit me të cilin do të udhëheqë vendin deri në zgjedhjet e 8 majit. Partia shqiptare në koalicionin qeverisës BDI ka propozuar emrat e 5 ministrave dhe 3 zv. ministrave për qeverinë teknike.