zoom

Lajme

Historike! Astrit Hasani zgjidhet president i Federatës Evropiane të Peshëngritjes

Historike! Astrit Hasani zgjidhet president i Federatës Evropiane të Peshëngritjes

Astrit Hasani është zgjedhur president i Federatës Evropiane të Peshëngritjes (EWF) në kongresin zgjedhor të EWF të mbajtur në Chisinau të Moldavisë më 11.04.2025.  

Astrit Hasani është shqiptari i parë në këtë detyrë të lartë në sportin e peshëngritjes në Evropë.

Ai fitoi kundër italianit Antonio Conflitti, i cili ishte presidenti i deritanishëm i EWF. Shqiptari siguroi 24 vota kundrejt 19 që mori presidentin aktual Antonio Conflitti.

Komiteti Olimpik i Kosovës dekarloi se Astrit Hasani bëhet presidenti i parë shqiptar i ndonjë federate europiane.

“Jam thellësisht i nderuar dhe me të vërtetë i përulur nga besimi juaj për të më zgjedhur mua si President të Federatës Evropiane të Peshëngritjes. Unë do të drejtoj një ekip që do të tregojë transparencë të vërtetë. Evropa do të jetë vërtet e bashkuar dhe ne do të zgjedhim njerëzit më të mirë për Kongresin e ardhshëm të IWF”, u tha Hasani delegatëve në Kongresin Zgjedhor të EWF në Chisinau.

Postimi i Komiteti Olimpik i Kosovës:

Dr. Astrit Hasani është zgjedhur sot President i Federatës Evropiane të Peshëngritjes (EWF) në Kongresin Zgjedhor të EWF të mbajtur në Chisinau të Moldavisë. Ai ka fituar kundër Presidentit të deritanishëm të EWF italianit me nënshtetësi të Moldavisë Antonio Conflittit.

Dr. Hasani bëhet Presidenti i parë shqiptar i ndonjë Federate Evropiane.

Dr. Hasani, kryetar i Federatës së Peshëngritjes së Kosovës, ishte arkëtar dhe anëtar i Bordit Ekzekutiv të Federatës Evropiane të Peshëngritjes që nga viti 2016.

Hasani ka një shkollim superior me magjistraturë në Universitetin prestigjioz të Kembrixhit dhe doktoraturën në Universitetin e Varshavës. Është i njohur në Federatën Botërore të Peshëngritjes për qëndrimin e tij që sporti është mbi politikën.

Krahas tyre, i ishte besuar pozita e CEO-së për organizimin e Kongresit Zgjedhor të Federatës Botërore të Peshëngritjes, të mbajtur në vitin 2022 në Tiranë të Shqipërisë, organizim që më vonë organizata “Albanian Excellence” i dha çmimin “The Grand Excellence Award”.

Po ashtu, për shkak të kontributit në peshëngritjen evropiane, vitin e kaluar në Varshavë të Polonisë në Kongresin Evropian, pranoi çmimin e madh evropian “Ylli i Artë”.

Si kandidat për president të Federatës Evropiane të Peshëngritjes Dr. Hasani kishte mbështetje të plotë nga KOK-u dhe KOKSH-i. Ai është edhe këshilltar i KOK-ut, i emëruar muaj më parë pas Asamblesë Zgjedhore të KOK-ut.