zoom

Aktualitet

Historia e sulmeve të Ramës ndaj Agon Channel. Si nisi lufta që i kushtoi Shqipërisë 110 milionë euro

Shqipëria do të duhet t’i paguajë Francesco Becchettit, sipërmarrësit italian, pronar i Agon Channel, plot 110 milionë euro.

“Për kapriço të Edi Ramës”, thonë kundështarët e tij. “Beteja s’ka mbaruar”, u përgjigjet kryeministri.

Por si nisi beteja që do na marrë çdo shqiptari, nga të sapolindurit e deri te më i moshuari, 4,560 lekë të reja nga xhepi?

5 Qershor 2015: Gjykata e Tiranës lëshon vendimin për sekuestrimin preventiv të pronave të shtetasve Liliana Condomitti, Mauro de Renzis dhe Erjona Troplini. Në mesin e pronave ishte edhe shoqëria Agonset, që zotëronte televizionin Agon Channel.

8 Qershor 2015: Prokuroria urdhëron ekzekutimin e Vendimit të Sekuestrimit dhe emëron Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK) dhe Policinë Gjyqësore për të zbatuar urdhrin. Në të njëjtën ditë prokuroria i dërgon shkresë bankave ku Agonset kishte llogari dhe urdhëroi bllokimin e llogarive.

10 Qershor 2015: AAPSK i kërkon Qendrës Kombëtarë të Regjistrimit (QKR) të bllokojë kuotat e shtetasve Liliana Condomitti, Mauro de Renzis dhe Erjona Troplini në shoqëritë përkatëse. Sekuestrimi u regjistrua në ekstraktin e Agonset nga Regjistri Shqiptar i Shoqërive.

9 Qershor 2015 vjen reagimi i parë publik i kryeministrit Edi Rama. Ai shkruajti në Facebook këtë tekst:

“Dekriminalizimi gjethe fiku qe bie e nxjerr cullak PD kur goditet krimi! Bllokimi i burimit te parase se zeze qe ushqente AgonCH nje sukses!”.

12 Qershor 2015: Kryeministri Rama bëri këtë deklaratë në Vizion Plus për mbylljen e Agon Channel.

“Kjo nuk ka lidhje me Agoin Channel si një media që po luftohet, sepse nuk ka turp më të madh se të bësh avokatinë e ekranit si liri për informim kur ekrani ndizet dhe fiket me burime parash të pista… Nuk ekziston një parim ku liria e fjalës ushqehet nga paratë e pista në formën e një televizioni komercial. Në këtë rast duhet të jemi të kujdesshëm, nuk ka mëshirë.”

Më 17 Qershor 2015, AAPSK u dynd në Agon Channel dhe sekuestroi të gjitha pajisje teknike që rezultonin në inventarin kontabël të Agonset.

Po më më 17 Qershor 2015, Kryeministri Rama e komentoi sërish operacionin kundër Agon Channel nga emisioni “Opinion” në Tv Klan.

“Unë kam thënë ‘si një sukses’, sepse ky lloj investitori i ka shkaktuar këtij shteti dhe këtyre njerëzve dëme të pallogaritshme, me gjyqe të manipuluara dhe ndërkohë po mban peng qeverinë shqiptare me koncesionet për të cilat ai nuk ka zbatuar asnjë nga kushtet. Fenomen skandaloz kundër të cilit ne kemi shpallur një luftë dhe do ta luftojmë deri në fund.”

Kryeministri deklaroi në “Opinion” se operacioni kundër Becchettit dhe Agon Channel ishte bërë në bashkëpunim me autoritetet italiane, por Ambasada Italiane dhe Ministrja e Jashtme e Italisë e përgënjeshtruan më vonë.

10 Tetor 2015: Studiove të Agon Channel u ndërpritet energjia elektrike në kohën që televizioni ishte në transmetim të drejpërdrejtë.

Më 26 tetor 2015 Francesco Becchetti u paraqit përpara Policisë Metropolitane të Londrës dhe dorëzoi pasaportën, pasi u dorëzua kërkesa e autoriteteve shqiptare për ekstradimin e tij në Tiranë. Gykata e Londrës refuzoi më vonë kërkesën e autoriteve shqiptare.

26 Prill 2016: Gjykata e Tiranës urdhëron që Agonset të nxirrej nga ambientet e tij pasi nuk mundej të paguante qiranë dhe bllokimin e llogarive të tij.

Francesco Becchetti i drejtohet arbitrazhit.

Çështja tani nuk ishte më penale. Drejtësia shqiptare, në 6 vjet hetime, nuk ka mundur ende të vërtetojë që Franceso Becchetti dhe kompanitë e tij ishin të përfshira në pastrimin e parave.

Gjykata e Arbitrazhit e dha vendimin e saj përfundimtar: Mbyllja e Agon Channel ishte e padrejtë dhe për pasojë Shqipëria do të duhet të paguajë 110 milionë euro nga buxheti i saj. Nëse nuk e bën vullnetarisht, do t’i sekuestrohen astetet apo llogaritë që ka jashtë vendit. ©Zoom.al

LEXO EDHE:

https://zoom.al/gjoba-110-milione-euro-per-becchettin-perplas-ramen-me-meten/

https://zoom.al/basha-lufta-personale-e-rames-me-becchettin-do-iu-kushtoje-shqiptareve-110-milion-euro/

https://zoom.al/icsid-jep-vendimin-final-shqiperia-do-ti-paguaje-110-milion-euro-francesco-becchettit/